“Dyrrah”-u uron që punonjësit e linjave të mos përdoren më për mbjellje pemësh tek Ura e Dajlanit

DURRËS, 7 tetor 2014 – Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës z. Edmond Haxhinasto “inspektoi” (më saktë, erdhi për marketing politik) më 7 tetor 2014, punimet në stacionin hekurudhor të udhëtarëve në Kashar, si dhe i hodhi një sy linjës (e quan terminal) hekurudhore në kalatën lindore të portit të Durrësit.

Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i ndërmarrjes shtetërore të Hekurudhës Shqiptare sha, z. Genc Alizoti (djathtas në foto), që shquhet për përkushtimin ndaj LSI-së, saqë përdor edhe punëtorët e mirëmbajtjes së linjave për mbjelljen e pemëve tek Ura e Dajlanit për hatër të z. Lefter Koka, së bashku me drejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të ndërmarrjes shtetërore Autoriteti Portual Durrës Selim Belortaja (majtas në foto), ka shoqëruar eprorin në qeveri dhe parti.

Prishja e stacionit të udhëtarëve në Tiranë nga qeveria Berisha, ku bënte pjesë dhe ministri i sotëm i Transportit e Infrastrukturës, z. Haxhinasto, ka shkaktuar një rënie prej 60 për qind të numrit të shqiptarëve që përdorin trenin, pranoi kreu i dikasterit.

Është qesharake mburrja e z. Haxhinasto se: “një situatë krejtësisht tjetër është ajo në transportin e mallrave, e cila për nëntëmujorin e këtij viti ka pasur një rritje mbi 40 për qind dhe deri në fund të vitit presim që ajo të shkojë deri në masën 70 për qind të planit të një viti më përpara”.

Të “ngrehesh”, fjala vjen, se në 8 muaj ke transportuar 184 596 tonë mallra, po kujtojmë se ky vëllim realizohej para vitit 1991 për 6-7 ditë!   

Ministri Haxhinasto mendon se “interesi për hekurudhën do të vijë në rritje, pasi hekurudha është një sektor me potencial të madh për transportin në Shqipëri. Do të jetë një kontribuues i zhvillimit ekonomik të vendit, por gjithashtu do të ofrojë një transport cilësor edhe për udhëtarët që preferojnë të zgjedhin këtë lloj transporti, tha ai”.

Kreu i dikasterit të Transportit përmendi dhe projektin e detajuar të linjës Tiranë-Rinas-Durrës.

Gjatë vizitës në terminalin hekurudhor (me gjatësi 1550 metra) në portin e Durrësit, ministri tha se kishte ardhur për të parë se si po zhvillohen veprimtaritë e ngarkim-shkarkimit në terminalin e hekurudhës në kalatën lindore.

Sipas Haxhinastos, ky terminal paska filluar punën në mars të këtij viti, gjë që nuk është e vërtetë, por i duhej për reklamë të punës së LSI-së.

Ishte rasti që z. Haxhinasto të fliste sërish për projekte dhe studime më të detajuara për lidhjen me Maqedoninë, si dhe për përmirësimin e lidhjes hekurudhore me Malin e Zi.

Bathë-bathë po një kokërr, thonë durrsakët.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/