7 tetor 2014– Politikanët shqiptarë pushtojnë edhe muzikën. Me një dashuri të madhe, disa këngëtarë, kryesisht të muzikës folklorike, kanë zgjedhur t’u këndojnë heroizmave të politikanëve tanë. 

Me një gjuhë aspak të veçantë, ata po i bëjnë politikanët të pavdekshëm, si të jenë perëndi.
Nuk dihet nëse kjo dashuri e madhe, për t’u thurur vargje me muzikë politikanëve, është frymëzim nga e kaluara, kur diktatori ishte personazh i padiskutueshëm i çdo krijimi, apo është një trend i ri, që ndoshta do na ndihmojë për t’u afruar më shumë me Bashkimin Europian. Por, cilat janë disa nga këngët më të njohura në internet?
Kënga e Sali Berishës me nje frazë nga teksti i saj “Moj Serbi murin ta prisha, se këtu i thonë Sali Berisha”. Me pak fjalë, ish-kryeministri ia paska prishur murin Serbisë, por ta ketë rrëzuar i vetëm vallë? Në një tjetër frazë thuhet: “Moj Serbi murin ta plasa, se këtu i thonë Lulzim Basha”. Epo paska qenë muri i fortë, se paska dashur kaq shumë tronditje për t’u shkërmoqur. Të paktën edhe këngëtarët kanë ditur të ndajnë punët, kush do të kujdeset për punët e jashtme e kush do të drejtojë shtëpinë. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, para se të jetë subjekt i një kënge, ka kënduar vetë. I ka kënduar luftës për shembjen e ndërtimeve në Tiranën e viteve 2000, si dhe i bënte thirrje njerëzve për ta votuar, përmes një kënge në vitin 2009. Por, talentët e muzikës sonë nuk mund ta linin Edi Ramën pa një dedikim.
Megjithëse kënga në politikën shqiptare është një fenomen i vjetër, në Kosovë ka pasur një zhvillim edhe më të madh. Është Linda Morina, që tashmë ka krijuar një repertor të pasur me muzikë për yjet e politikës. Sidomos për Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn.
Pas një orientimi vetëm nga Partia Demokratike e Kosovës dhe luftëtarët e UÇK-së, Linda vendos të zgjerojë diapazonin e muzikës së saj… dhe në listë futet Albin Kurti.
E si mund të ishte jashtë kësaj liste Presidentja e parë femër në mbarë shqiptarinë?
Në Kosovë, ndoshta politikanët aktualë u xhelozuan nga këngët, që iu kënduan dëshmorëve të luftës, dhe vetë nuk mund të rrinin mbrapa. Të gjitha këngët e politikanëve shqiptarë kanë arritur miliona klikime në internet dhe po presin të hapet Youtube në Kinë, që të kalojnë në miliarda, pra në një linjë me pasurinë e tyre. S’mbetet gjë tjetër për të thënë, përveç se: Sa të jehojë kënga në Shqipëri, politikanët do të kenë lavdi.