7 tetor 2014– DIGITALB kurorëzoi më një marrëveshje zyrtare të gjithë mbështetjen shumë vjeçare për sportin në Shqipëri e futbollin në veçanti, duke u zyrtarizuar si Sponsori i Përgjithshëm i Ekipit Kombëtar të Futbollit. Marrëveshja u bë publike gjatë një konference për shtyp të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, që prezantoi gjithashtu edhe sponsorët e tjerë mbështetës të Përfaqësueses së Futbollit.
DIGITALB do të jetë Sponsori i Përgjithshëm i Ekipit Kombëtar për 2 vitet e ardhëshme, 2014 – 2016. Me zyrtarizimin e kësaj marrëveshjeje DIGITALB angazhohet të mbulojë të gjithë fushatën promocionale të Perfaqësueses së Futbollit, në mënyrë moderne, intensive e gjithëpërfshirëse, për ta afruar Ekipin Kombetar me çdo familje shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë. DIGITALB angazhohet gjithashtu të mbulojë me transmetime televizive të gjitha aktivitetet dhe ndeshjet e Ekipit Kombëtar, brenda dhe jashtë vendit. Ky hap i DIGITALB vjen në një fazë të rëndësishme për Përfaqësuesen e Futbollit që po zhvillon Eliminatoret e Kampionatit Evropian, “Francë 2016” dhe synon t’i japë një mbështetje edhe më të madhe mediatike e publike Ekipit Kombëtar.
Presidenti i FSHF, z.Armand Duka deklaroi se kjo marrëveshjë vjen e natyrshme, sepse si Ekipi Kombëtar ashtu dhe DIGITALB janë dy produkte që bashkojnë shqiptarët, kudo ndodhen. Ndërsa Administratori i Përgjithshëm i DIGITALB, z. Alban Jaho tha se filozofia dhe slloganet e Shoqërisë që drejton “DIGITALB PLATFORMA E TË GJITHË SHQIPTARËVE” dhe “DIGITALB NE ECIM ME HAPIN E KOHËS” përkojnë më ato të Ekipit Përfaqësues të Futbollit, që është i të gjithë shqiptarëve ndaj dhe kjo shoqëri zyrtarizoi mbështetjen e saj të pakushtëzuar ndër vite.
Përveç DIGITALB që do të jetë Sponsor i Përgjithshëm, Ekipi Përfaqësues do të ketë edhe 6 sponsorë të tjerë mbështetës që janë: Union Bank, Uji Tepelena. Alba Trans, Spitali Amerikan, Vas Tours e Albpetrol.





