·      Ilo Mitkë Qafëzezi: “Vetëm fanatizmi fetar duhet ndjekur edhe luftuar, gjer të shduket nga zemrat e Shqiptarëve që e duan Shqipërinë e lirë ndë radhë qytetërimi. Tjetrazi jemi të humbur”.

·      Imzot Luigj Bumçi: “Duhet të shuejmë hidhënimet e mëritë që na ndajnë, të respektojmë mendimet e shokëve tanë e të mos ftohim e të mos ashpërsojmë mardhëniet ndërmjet Shqipëtarëve prej çdo krahinash e prej çdo fenash që të jenë”.

 

DURRËS, 4 tetor 2014 – Katër ditë para Kurban Bajramit ndodhi një ngjarje e veçantë: ambasada amerikane i akordoi një çmim fshatit Malbardhë të Laçit për bashkëjetesën shembullore fetare. 

Një fshat me mbi 95 për qind myslimanë ka kontribuar së bashku me komunitetin katolik, në pakicë, në ndërtimin e një kishe mbi themelet e asaj të vjetër.

Në Durrës, myftiu është mik me krerët e të krishterëve, një traditë që vjen që nga vitet e thella të shekullit XX.

KLERIKU KATOLIK: TË MOS COPËTOHET SHQIPËRIA ME SHUMICË MYSLIMANE

Rreziku i madh i copëtimit të vendit, e detyroi delegacionin e qeverisë së Durrësit të Konferencës së Paqes në Paris, që të dërgonte kryetarin e vet, ipeshkvin e Lezhës, Imzot Luigj Bumçi (1872-1945), në Vatikan, për të takuar personalisht Papa Benediktin XV (1854-1922). Takimi u realizua në ditët e para të janarit 1920.

Imzot Bumçi iu drejtua me këto fjalë Atit të Shenjtë:

Tesh pra Shejtni, të gjithë misat e Dërgatës shqiptare që janë në Paris e që shumica asht myslymane, më kanë çue këtu përpara Shejtnis s'Uej e të gjith për një gojë U luten qi me fuqin t'Uej morale e me influencën e madhe që keni në botën mbarë, të na jepni ndihmën t'Uej të vlefshme si ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provincat shqiptare, Korça e Gjirokastra, të cilat janë në rrezik prej akordit Titoni – Venizellos”.

Siç duket, takimi Benedikti XV-Imzot Bumçi ka ndikuar në atë që grupi katolik në parlamentin italian t’i kërkonte Francesco Nitti-t (kryeministër i asaj kohe), që Italia të përpiqej me të gjitha mënyrat për të mos shkaktuar copëtimin e Shqipërisë.

Ndërkaq tërheq vëmendjen një mendim domethënës. Në një raport të shkurtër, që Imzot Bumçi i dërgonte Tiranës, i cituar nga Duka, shkruante midis të tjerash: “Puna që na ka sjellë dam ma të madh asht mendimi se shqyptarët nuk janë në një mendim dhe se nuk mirren vesht në mes të tyne”.

Po ashtu kleriku katolik dhe politikani Bumçi theksonte:

“Pikë së pari duhet pra të kemi bashkim të plotë, urtësi të madhe, durim e nderim për njeni-tjetrin. Duhet të shuejmë hidhënimet e mëritë që na ndajnë, të respektojmë mendimet e shokëve tanë e të mos ftohim e të mos ashpërsojmë mardhëniet ndërmjet Shqipëtarëve prej çdo krahinash e prej çdo fenash që të jenë. Për të mirën e atdheut duhet sot që ma i madhi të bahet ma i vogël përpara të tjerëve. Udha politike tjetër që duhet të mbajmë asht këjo: Të mundohemi të përfitojmë nga interesat kundërshtare të njenit e tjetrit e të përpiqemi të fitojmë besimin e miqve e nderimin e armiqve”.

ORTODOKSI QË PËRKTHEN KUR’ANIN NË SHQIP

Sipas historianit me emër, Gazmend Shpuza, në një referim shkencor të botuar në periodikun “Perla” të fondacionit iranian “Saadi Shirazi”, shkruan se mund të duket si e çuditshme, por është e vërtetë që përkthyes i Kur’an-it, këtij libri të shenjtë, i njohur deri më sot, është një bashkatdhetar i besimit të krishterë, ortodoks, e pikërisht atdhetari korçar dhe studiuesi i mirënjohur i historisë sonë mesjetare dhe më gjerë qysh para luftës së Dytë Botërore, Ilo Mitkë Qafëzezi (1889-1964).

Midis monumenteve të kulturës botërore, që ka tërhequr vëmendjen e tij, është edhe Libri i Shenjtë i bashkatdhetarëve të tij myslimanë. Ai bëri përkthimin e parë, kuptohet, të pjesshëm, të këtij libri në gjuhën shqipe.

Nga gjithë libri ai arriti të botonte pjesën e parë në Rumani më 1921. Këtë botim autori ua dedikon, siç shprehet vetë, “Bashkatdhetarëve kombëtarë të Shteteve të Bashkuara t'Amerikës”.

I cituar nga Shpuza, I. M. Qafëzezi shkruan në parathënie:

“Le të bëjmë nga librat fetarë, çështje të kulluar kombëtare. S’është nevoja të dobëtojmë ndjenja të shpirtit. Nga këjo nuk e gjen fare dem Shqipërin' e sotme. Vetëm fanatizmi fetar duhet ndjekur edhe luftuar, gjer të shduket nga zemrat e Shqiptarëve që e duan Shqipërinë e lirë ndë radhë qytetërimi. Tjetrazi jemi të humbur”.

NË ASNJË KALLËP TË HUNTINGTON-IT

I sollëm këto dy fakte, sensacione historike, pak të njohura për publikun e gjerë, për të argumentuar atë se shqiptarët, për shkaqe që hyjnë në thellësi të mijëvjeçarëve, janë një popull me një qytetërim shumëkulturor, ku shumica nuk e ka përbuzur apo shtypur pakicën religjioze, përkundrazi, si fe të vetën, kanë konsideruar shqiptarinë, apo çështjen kombëtare. Prandaj nuk ka pasur dhe konflikte ndërfetare, Në këtë pikëpamje, Shqipëria nuk futet në asnjë nga kallëpet e politologut Huntington.

Shqiptarët kanë shtresa paganizmi, judaizmi, krishtërimi parak, bizantizmi, romanizmi, islamizmi, deri dhe në ditët tona – si bahaizmi, budizmi, jehovaizmi e sa e sa sektesh të tjera.

Kjo e bën shqiptarin më të aftë për t’u përshtatur apo integruar në çdo lloj “kulture” apo “qytetërimi”.

Beu mysliman Faik Konica u shkollua në një kolegj katolik të Shkodrës e pastaj në vende të tjera të Evropës dhe SHBA-së.

Shqiptarët, kryesisht myslimanë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndihmuan izraelitët përballë holokaustit.

Fakte, që dëshmojnë për shumëkulturësinë apo ndërqytetërizmin e shqiptarëve.

AS… AS…

Nuk ka pse të kemi komplekse: jemi vend me shumicë myslimane. Këtu nuk na futi as qeveria, as Huntingtoni, por qenia jonë historike. Por nga ana tjetër, një shtet laik si Shqipëria, dhe pse me popullsi mbizotëruese myslimane, nuk është e domosdoshme të bëjë politikë joperëndimore (terminologjia e përdorur në  Përplasja e Qytetërimeve) me baza teokratike. Në Konferencën e Vendeve Islamike bën pjesë dhe Turqia, një shtet laik, pra joteokratik, siç mund të jenë teokratike shtetet e tjera.

Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare, përfshi dhe qendrat e religjioneve, në deklarata zyrtare, vlerëson Shqipërinë për tolerancën ndërfetare.

Ndoshta këtu vlen si aksiomë thënia pragmatiste e politikanit klerik e atdhetar, Luigj Bumçi:

“Udha politike tjetër që duhet të mbajmë asht këjo: Të mundohemi të përfitojmë nga interesat kundërshtare të njenit e tjetrit e të përpiqemi të fitojmë besimin e miqve e nderimin e armiqve”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/