– Ndonëse i ka kaluar të 60 vjetët, Luan Rexha nuk e nis punën pa bërë çdo ditë të paktën 1 000 metra në det
– Fatmir Kërçiku është 56 vjeç dhe për afro 20 vjet është aktivizuar në ekipet “Lokomotiva” e Durrësit dhe “Partizani”, kjo jetëgjatësi sportive përbën rast të veçantë në garat e ujit
Nga Gëzim Kabashi
DURRËS, 29 shtator 2014 – Federata Shqiptare e Notit dhe bashkia e qytetit të Durrësit nderuan pak kohë më parë dy notarë durrsakë, mjaft të njohur në vitet 1960-1980. Takimi, i organizuar nga veterani i notimit Meriban Kadiu dhe shoqata e sportistëve veteranë, u bë shkas për të kujtuar kontributin e notarëve Luan Rexha dhe Fatmir Kërçiku, protagonistë në radhët e ekipeve “Lokomotiva” të qytetit bregdetar.
LUAN REXHA, 100 METRA NOT ÇDO MËNGJES
Luan Rexha nuk është shkëputur asnjëherë nga sporti i notit. Protagonist me “Lokomotivën” dhe “Partizanin” në vitet 1960-1970, ai u aktivizua më pas si gjyqtar në garat kombëtare, ndërsa tani, që i sapo i ka kaluar 60 vjetët, nuk e nis punën pa notuar çdo ditë të paktën 1 000 metra.
Ishte në klasën e pestë, kur mësuesi i fizkulturës, Ilia Berberi e aktivizoi në kampionatin e shkollave 8-vjeçare.
Shumë i vogël në trup dhe në moshë, Luani i habiti të gjithë kur u shpall fitues i vendit të parë në garat 50 metra shpinë dhe 100 metra stil i lirë.
“Mbaj mend se garat u zhvilluan te zadrat e Currilave”, – tregon në një intervistë Luan Rexha, i cili në vitet më pas është stërvitur dhe ka konkurruar në zadrat prej dërrase që instaloheshin në kalatën 1 të portit dhe në plazhin e Bërrylit, e më vonë edhe në pishinën e sapondërtuar të qytetit.
Brenda pak javësh 10-vjeçari durrsak përfshihet në ekipin e të rinjve “Lokomotiva”, nën kujdesin e trajnerit të njohur Niko Kurani.
“Ishte koha kur një çantë sporti si dhe kompleti i tutave që ofronte klubi, ndikonin shumë për vendime të tilla”, – thotë Luani, i cili kujton gjithashtu se i ati nuk ishte entuziast për këtë.
Osman Rexha, mjaft i njohur edhe sot në Durrës për humorin e tij të atypëratyshëm, kishte qenë fitues i vendeve të nderit në kampionatet e fillimviteve 1930, të parat në historinë e notit shqiptar.
“Sidoqoftë, ai e dinte se sporti kërkon vullnet dhe sakrifica”, – shton Luani.
Luan Rexha filloi të stërvitej për garat e katërnotimit.
Në vitin 1964 nga stili flutur “butterfly” u kalua në atë të delfinit.
“Leksionet e para për këtë mënyrë notimi i kisha marrë duke parë në kinemanë verore të Durrësit një film kinez të titulluar “Dy breza notarësh”, – Luani thotë se pas kësaj e ka pasur më të lehtë që t’u shtojë edhe “delfinin” tre stileve të tjera. Rexha i ri konkurronte me sukses në garat e katërnotimit si dhe në dy stafetat ekipore 4 x 50 dhe 4 x 100 metra.
Në skuadrën durrsake ish-“Lokomotiva” në fund të viteve 1960 militonin edhe notarë të tjerë si Naim Myshketa, Kujtim Dauti, Agim Gjojdeshi, Jani Kurti, Myslim Dedja, Kostandin Minga, etj.
Ndërkaq në arenën kombëtare shkëlqente vlonjati Jani Hondro.
Gjeografia e garave u zgjerua pas Durrësit, Sarandës, Vlorës e Pogradecit, edhe në Tiranë, Lushnjë e Korçë, ku u ndërtuan pishinat e para.
Notarët bashkëkohës tregojnë se Luani dallohej për emocionet pozitive: “Nuk kisha frikë para garave dhe jo pak herë ka ndodhur që të kem rezultate më të mira në kampionat se sa në stërvitje”.
Me të njëjtat cilësi ai përfaqësoi edhe ngjyrat e “Partizanit”, skuadrës së të rinjve sportistë që kryenin shërbimin ushtarak.
Luan Rexha ishte 21 vjeç kur vendosi të mos garonte më.
Pak muaj më vonë, në shtator të vitit 1976, u largua nga jeta edhe i ati, Osman Rexha.
Rexha i ri sidoqoftë nuk largohet nga pishinat, ku kontribuon si gjyqtar i garave deri në vitin 2002, kur u zhvilluan Lojërat Mesdhetare.
Më vonë i rikthehet notimit në konkurrimet e veteranëve.
“Merita i takon Meriban Kadiut, i cili pa u lodhur organizon veprimtari të tilla sportive”, – thotë Luani, duke shtuar se noti ka ndikuar së tepërmi në shëndetin e tij.
10 vjet më parë ai “hoqi dorë” nga cigarja dhe rifilloi të notojë.
Nga 20 maji deri më 20 shtator Luani e hap dyqanin e vogël të berberit në lagjen nr. 1 vetëm pasi ka kryer ritualin e përditshëm prej 1 km notim në Currila.
FATMIR KËRÇIKU, 20 VJET NOTAR
Fatmir Kërçiku është 56 vjeç dhe për afro 20 vjet është aktivizuar si notar në ekipet “Lokomotiva” e Durrësit dhe “Partizani”.
Specialistët thonë se rezultatet e notarëve në përgjithësi zbehen shumë shpejt dhe për këtë arsye jetëgjatësia sportive e Kërçikut përbën një rast të veçantë në garat e ujit në vendin tonë.
I rritur në lagjen e “Vollgës”, siç e njohin durrsakët, Fatmir Kërçiku e ka zhvilluar garën e parë zyrtare në Pogradec, kur ishte ende 7 vjeç.
Trajneri i fëmijëve Xhevdet Mitraku e aktivizoi vogëlushin në kampionatin e pionierëve që u zhvillua në liqenin e qytetit piktoresk.
“Ishte hera e parë, por dhe e fundit që garoja në stilin bretkosë” – kujton Miri, i cili më vonë i është përkushtuar notimit në stilin e lirë, si dhe stafetave dhe garave të katërnotimit.
Bashkë me trajnerin e parë Xhevdet Mitraku, notari veteran shprehet se në formimin e tij si sportist kanë ndikuar edhe dy trajnerët e ekipit të të rriturve durrsakë, Niko Kurani dhe Agron Ismailati.
Miri është burrëruar në stërvitjet disaorëshe që zhvilloheshin çdo ditë në zadrat prej druri të bregdetit.
Shokët nisën ta thërrasin “daja”, siç edhe e njohin pjesa më e madhe e durrsakëve.
“Ai ishte kripa e skuadrës, e mbi të gjitha nuk refuzonte asnjëherë kur i kërkohej aktivizimi në gara të tjera”, – tregojnë moshatarët e tij.
Në vitin 1976 Kërçiku grumbullohet në ekipin kombëtar të notit.
Faza përgatitore zhvillohet në pishinën e Lushnjës.
“Ka qenë e vështirë, kur së bashku me disa sportistë të tjerë, nga aeroporti i Rinasit na kthyen përsëri në Lushnjë, – tregon Miri. – Isha 18 vjeç dhe një kushëri më tregoi se arsyeja e vërtetë që m’u mohua udhëtimi ishte një problem biografik i familjes”.
Dy javë më vonë, kur ekipi përfaqësues u kthye nga Kina, shokët e shoqet ia kanë bërë më të lehtë “goditjen”, kur i kanë sjellë dhurata dashamirëse nga vendi aziatik.
Në kampionatin e zhvilluar në Sarandë pas një muaji, Kërçiku zgjedh të notojë në distanca dhe stile pak të parapëlqyera prej tij.
Trajnerët shprehen skeptikë, pasi nuk e dinë që Miri është stërvitur pa reshtur.
Dhe rezultati është i mahnitshëm.
Miri fiton tre gara radhazi, duke i dhënë “Lokomotivës” vendin e parë.
Në këtë periudhë në Durrës ndërtohet pishina e hapur dhe ekipet e tij shpallen fitues disa herë në shkallë kombëtare.
Mir Kërçiku, së bashku me notarët Petrit Guma, Mir Deliallisi dhe Met Hasa, fitojnë stafetat 4 x 100 dhe 4 x 200 metra stil i lirë, koha rekord e së cilës është thyer përsëri vetëm para dy vitesh.
Edhe tani Kërçiku ka mbetur njëlloj i qeshur, si atëherë kur u jepte zemër skuadrës dhe shokëve të tij.
Ai ndjehet i nderuar, që Federata Shqiptare e Notit dhe bashkia e qytetit e vlerësuan kontributin e tij.
Ndërsa kontakti me ujin dhe garat e veteranëve shqiptarë që zhvillohen rregullisht çdo vit e bëjnë të përjetojë edhe një herë emocionet e dekadave të shkuara.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





