Kemi hyrë në muajin maj, e ndërsa pranvera po bëhet gati t’i lërë vendin stinës së verës në një pjesë të shëtitores “Taulantia” në Durrës, stina e gjelbërimit dhe çeljes së luleve duket se nuk ka mbërritur akoma!
Fillimi i shëtitores, aty ky dy vite më parë u zbatua loti i tretë i rehabilitimit të saj, duhet të ishte transformuar tani në një sipërfaqe të gjelbërt, por në realitet nuk është aspak kështu.

Nga 55 pemë dekorative të llojit Ligustrum Japonicum, që janë mbjellë aty, kanë lulëzuar vetëm 3-4 prej tyre. Të tjerat janë shndërruar në drunj të tharë, që nuk pritet të gjelbërojnë ndonjëherë.


E projektuar për t’u transformuar në një sipërfaqe të gjelbërt, realiteti tregon komplet të kundërtën në ketë hapësirë pranë portit të peshkimit, ku edhe bari ka mbirë tek tuk.
Pas interesimit që “DurrësLajm” bëri pranë Agjencisë së Parqeve Urbane, na u tha se ndërmarrja i ka nisur një shkresë zyrtare firmës, që ka mbjellë pemët dekorative në momentin që kanë konstatuar tharjen e tyre. Në shkresë, firmës i kërkohet zëvendësimi i pemëve të thara me fidanë të rinj.

Por derisa të ndodhë zëvendësimi, gjithnjë nëse do të ndodhë, Durrësi do të ketë mangut një tjetër hapësirë të gjelbërt, në një qytet ku grija e betonit dominon mbi çdo ngjyrë tjetër.


Ndërkohë në anën tjetër të shëtitores bregdetare po vijon projekti për rehabilitimin e saj dhe vendosjen e pergolateve të betonit, të ideuara nga arkitekti spanjoll Ricardo Bofill. Projekti nisi të zbatohej një vit më parë, por pas ndërprerjes disa mujore, ai rinisi në fillim të vitit dhe sipas firmës zbatuese do të përfundojë në muajin qershor.

Duket se këtë herë kjo pjesë e shëtitores nuk do të jetë një kantier i hapur ndërtimi, siç ishte përgjatë gjithë sezonit veror të një viti më parë.
M.B.





