Vlorë, 30 gusht 2014 – Zbardhen detaje të reja nga ekzekutimi mafioz me eksploziv c4 të biznesmenit të ndërtimit, Isuf Brahimaj. Sipas grupit të hetimit, viktima Brahimaj, 24 orë para ngjarjes ka qenë pothuaj gjatë gjithë kohës në hotelin, të cilin e kishte ndërtuar e që po përgatitej për inaugurim. Madje, mësohet se edhe mëngjesin e së enjtes ishte nisur prej aty dhe më pas për të çuar vajzën në shtëpinë e saj, në lagjen "Lirim".
Prokurorët kanë sekuestruar edhe aty kamerat e sigurisë, duke qenë se mjeti ka qenë i parkuar në këtë zonë, ndërsa kanë marrë në pyetje të gjithë punëtorët e identifikuar që po kryenin punime në hotel si dhe të afërm të viktimës. Po ashtu, janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 8 persona, kryesisht të rinj, të skeduar nga policia, të cilët më pas janë lënë të lirë, për shkak se kanë pasur alibi të forta, shkruan "Gazeta Shqiptare".
Hetuesit dyshojnë se lënda plasëse në automjet mund të jetë vendosur edhe tri ditë më parë nga dita e shpërthimit. Autorët mund të kenë ndjekur viktimën hap pas hapi për të gjetur momentin për të shpërthyer lëndën plasëse, me qëllim që të mos marrin jetë njerëzish të pafajshëm, në vendin ku do të kryhej shpërthimi. Ky fakt është vënë re nga specialistët e krimeve në vëzhgimin e kamerave, ku shpërthimi është kryer në momentin kur në afërsi të makinës së Isufit nuk kishte automjete të tjera apo njerëz. Pistat e hetimit tashmë janë në duart e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilat ende nuk kanë një tablo të qartë të ngjarjes.





