– Babasi dhe Doshi i kërkojnë këngëtares Rovenë Dilo të mbyllë bar-kafen dhe t’u kthejë truallin
DURRËS, 29 gusht 2014 – Rovi vjen e freskuar, pasi gjatë gushtit provoi buzë detit kovën e akullit, për t’u përballur kështu në ditët e para të shtatorit, para gjykatës, me “aleancën” PS-PD, që synon t’i marrë truallin dhe barin “Rovena”.
Gjykata e faktit e Tiranës njofton se më 2 shtator 2014 do të zhvillohet seanca e tretë për padinë civile, që kanë hapur dy politikanët, Ndriçim Babasi (PD) dhe Tom Doshi (PS) kundër këngëtares së famshme dhe biznesmenes Rovenë (Rovi) Dilo.
Një javë pasi ministri i Punëve të Brendshme Sajmir Tahiri dëboi nga lokali “Rovena” policët privatë të ish-deputetit “blu” dhe biznesmenit Ndriçim (Çimi) Babasi dhe ligjvënësit aktual “mavi” Tom Doshi, këta të dy iu drejtuan, më 25 qershor 2014, gjykatës së kryeqytetit me “Padi kërkim sendi”.
Dyshja blu-mavi kërkon që Rovenë Dilo të lirojë e të dorëzojë pasurinë e paluajtshme me sipërfaqe 887 metra katrorë truall; shpërblimin e dëmit për mosposedim dhe mospërdorimi sendi; sigurimin e padisë, duke vendosur pezullimin e aktivitetit bar kafes; bllokimin e ndërtimeve mbi pronën; detyrimin që Diloja të paguajë shpenzimet gjyqësore.
Më 17 korrik 2014, gjyqtari Fatri Islamaj pranon kërkesën e Dilos për shtyrje të seancës më 29 korrik 2014.
Në këtë seancë të dytë gjykata rrëzon kërkesën e Çim-Tomës për sigurimin e padisë; pasi nuk ka asnjë urgjencë apo emergjencë apo dëm eventual si dhe nuk ofroi në asnjë moment garanci për përmbushjen e dëmeve të mundshme që mund t’i shkaktohen Dilos nga pezullimi i aktivitetit; po ashtu pret nëse është regjistruar procedim penal ndaj dajës së këngëtares Agron Vreto, që u ka shitur pronën e mbesës pa dijeninë e saj.
Duke pasur parasysh kalendarin dhe faktin se në gusht është leja vjetore, gjykata caktoi seancën e ardhshme më 2 shtator 2014 ora 11:00.
Sipas fotove të postuara në Instagram, Rovi i ka bërë pushimet në bregdet, madje, i është bashkuar nismës globale për ASL-në, duke provuar një kovë me akull në kokë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





