Tiranë, 29 gusht 2014 – Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka vendosur të gjobisë gjashtë zyrtarë për mosdeklarimin në kohë të pasurisë.
Mes tyre është edhe Fatos Klosi.
“Inspektori i Përgjithshëm përmes Urdhrave të Posaçëm ka vendosur masa administrative “gjobë” për 6 subjekte deklarues, si më poshtë.
– Fatos Klosi, Kryetar i Agjencisë Kombëtare Bërthamore, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Tiranë, nuk ka dorezuar në ILDKPKI dokumentin zyrtar “Deklaratë e Interesave Private Para Fillimit të Detyrës” dhe “Deklaratën e Interesave Private Periodike/Vjetore 2013”.
– Anesti Dhimojani, ish- Kryetar i Këshillit të Qarkut Vlorë, nuk ka dorëzuar në ILDKPKI, dokumentin zyrtar deklaratë e interesave private “Periodik vjetor, 2011, 2012, 2013″ dhe “‘Pas largimit nga funksioni 2014″.
– Vangjel Ndreka, Kryetar i Këshillit të Qarkut Fier, nuk ka dorëzuar në ILDKPKI, dokumentin zyrtar, deklaratë e interesave private “Periodik vjetor 2013“.
– Hamdi Pasha, Kryetar Komune Kodër Thumanë, Krujë, Qarku Durrës, i zgjedhur në këtë funksion me datë 23.07.2013, nuk ka dorëzuar dokumentin zyrtar “Deklaratë e Interesave Private Para Fillimit të Detyrës”; dhe “Deklaratën e Interesave Private Periodike/Vjetore” për vitin 2013.
– Viktor Popaj, Kryetar i Komunës Kastrat, Qarku Shkodër, i zgjedhur në këtë funksion me datë 08.05.2011, rezulton të mos ketë dorëzuar brenda afateve ligjore “Deklaratën Para Fillimit të Detyrës”. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të viteve të kaluara rezulton që subjekti deklarues nuk ka dorëzuar “Deklaratën e Interesave Periodike/Vjetore” për vitet 2011, 2012 dhe 2013.
– Lek Bibaj, Kryetar i Komunës Hajmel, Qarku Shkodër, i zgjedhur në këtë funksion me datë 08.05.2011, rezulton të mos ketë dorëzuar brenda afateve ligjore “Deklaratën Para Fillimit të Detyrës”, shkelje për të cilën subjekti është gjobitur dhe kallëzuar penalisht. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të viteve të kaluara rezulton që subjekti deklarues nuk ka dorëzuar “Deklaratën e Interesave Periodike/Vjetore” për vitet 2011, 2012 dhe 2013,” thuhet në deklaratën e ILDKPKI.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





