Tiranë, 29 gusht 2014  – Të hënën, më 1 shtator ora 17:00, nis sesioni i tretë i Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Shqipërisë. Konferenca e Kryetarëve, e mbledhur sot pa praninë e opozitës së djathtë, miratoi kalendarin trejavor të punimeve të parlamentit për ditët në vijim. 

Axhenda e seancës së ditës së hënë parashikon hapjen zyrtare të sesionit të ri, miratimin e programit të punës së Kuvendit për periudhën 1 shtator-9 tetor dhe të kalendarit trejavor për periudhën 1-18 shtator. 

Rendi i ditës përfshin edhe pesë dekretet e Presidentit që ktheu për rishqyrtim në Kuvend disa ligje të miratuara në seancën e 31 korrikut. 

Po ashtu, deputetët do të votojnë dhe dy dekretet e Kreut të Shtetit, ai për emërimin e Ermonela Felaj, në detyrën e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, si dhe dekretin e shkarkimit të Ilirjan Celibashit nga kjo detyrë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/