Tiranë, 29 gusht 2014 –  Champions në Shqipëri, me Realin dhe Liverpulin që luajnë në “Elbasan Arena” duket si një hipotezë shumë e bukur për të qenë e vërtetë, por kur e thotë presidenti i Ludogoretsit, hipoteza nuk shfaqet si një fantazi.

Skuadra bullgare që u kualifikua në mënyrë dramatike në fazën e Champions League, me një mbrojtjës që bëri rolin e portierit duke pritur dhe dy 11-metërsha është në hall, pasi nuk po gjen për momentin një stadium, për shkak se stadiumi i qytetit të tyre nuk i plotëson kushtet e Uefa-s. 

Në një intervistë të dhënë fill pas shortit, numëri 1 i kampionëve të Bullgarisë, Kiril Domushiev ka pohuar se nëse Uefa nuk lejon zhvillimin e takimeve as në Sofje, atëherë mund të marrë në shqyrtim mundësine për t’i luajtur ndeshjet në Shqipëri.

Domushiev nuk përmend emër konkret, por i vetmi stadium që mund t’i plotësojë kushtet e Uefa-s për ndeshje në këtë fazë të Champions është “Elbasan Arena” dhe ky për momentin në fazë rikonstruksioni dhe që pritet të përfundojë me datë 4 tetor.

Problemi i vetëm është se ndeshjen me Realin si pritëse, Ludogorets do ta luajë më datë 1 tetor, 3 ditë përpara sesa mendohet që do të jetë data e inagurimit të stadiumit të rikonstruktuar të Elbasanit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/