- 13 biznese kanë përfituar gjithsej 30 milionë lekë dhe kanë punësuar 484 punëkërkues të papunë dhe me ndihmë ekonomike
DURRËS, 28 gusht 2014 – Kur nuk ke pulën kënaqesh me sorrën, përkundrejt premtimeve të mëdha për punësime masive, qeveria kënaqet dhe më futjen në punë të 60 femrave, duke i bërë reklamë vetes.
Të mërkurën, më 27 gusht 2014, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë vizitës së tij në një kompani konfeksionesh në Durrës, e cila ka përfituar nga programet e këtij viti të fondit të nxitjes së punësimit, u uroi punë të mbarë 60 zonjave që kanë filluar punë në këtë kompani me ndërmjetësimin e zyrës së punës në Durrës.
“Ka shumë njerëz që e ushqejnë kulturën e cinizmit duke thënë se puna në fasoneri nuk është për ne, por nëse vjen nga një zonë rurale, nëse nuk ke të ardhura të tjera dhe jeton me pagesën modeste të ndihmës ekonomike, kjo punë është shumë më e ndershme se sa të ndenjurit në kafe apo pika bastesh”, deklaroi ministri Veliaj.
Ai shtoi se shumë shpejt në Durrës do të zhvillohet edhe një konkurs tjetër për fondin e nxitjes së punësimit, nga i cili mund të përfitojnë edhe kompani të tjera, që do të punësojnë njerëz të rinj sipas programeve të shpallura nga zyrat e punës.
Në Durrës, pjesë e fondit të nxitjes së punësimit janë bërë 13 biznese, të cilat kanë përfituar gjithsej 30 milionë lekë dhe kanë punësuar 484 punëkërkues të papunë dhe me ndihmë ekonomike.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





