Durrës, 21 gusht 2014 – Një kursante 18 vjeçare dhe një 57 vjeçar që udhëtonte me biçikletë po ndiqen penalisht në gjendje të lirë, pasi kanë mbetur të përfshirë në një aksident rrugor..
Aksidenti, që fatmirësisht i shkaktoi vetëm lëndime të lehta shtetasit G.I., u regjistrua gjatë kohës kur në timon ishte 18 vjeçarja që po merrte leksionet e para për drejtimin e automjetit.
Sipas burimeve policore, ngjarja është regjistruar në orët e vona të së mërkurës, në aksin rrugor Nish Tulla-Sektori Rinia.
Automjeti tip Benz, me targa AA994HT, i drejtuar nga 18 vjeçarja B.R., është përplasur me 57 vjeçarin G.I. që udhëtonte me biçikletë.
Për pasojë është dëmtuar drejtuesi i biçikletës, i cili ndodhet në Spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën.
Materialet për të dy këta shtetas i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





