DURRËS, 21 gusht 2014 –  Ditën e 42-të të qëndrimit rekord në radën e portit të Durrësit anija me flamur të Belizit  Loyga nuk figuron në raportin ditor të anijeve të mallrave të datës 21 gusht 2014 ora 12:12 (shih fundin e faksimiles: rada është bosh, anglisht: “empty”), por nuk figuron as anija me flamur të Shqipërisë  Frosina.

“Dyrrah”-u u vu në kërkim të dy anijeve  missing.

Duke punuar me AIS (inicialet anglisht për sistemin e identifikimit automatik të anijeve) del se anija  Loyga që ka ardhur në radën e portit të Durrësit qysh më 10 korrik 2013 për të ngarkuar 5 800 tonë çimento për eksport, ndodhet ende aty, në një distancë 6 km në vijë ajrore nga plazhi i Golemit, në koordinatat 41.25075° V 19.46284° L (shih faksimilen e hartës së datës 21 gusht 2014, ora 13: 20, koha e Shqipërisë).

Diku më sipër anijes  Loyga, në koordinatat 41.28183° V 19.4625° L (shih faksimilen e hartës së datës 21 gusht 2014, ora 13:20), ndodhet anija  Frosina, e ndërtuar në vitin 1972 në kantierin italian  Azimut Benetti Livorno, në menaxhim dhe pronësi të firmës shqiptare  Albartin Shipping Co shpk me seli në Durrës, anije që ka ardhur nga Vlora në Durrës qysh më 18 gusht 2014.

Ngjall dyshim kjo “zhdukje” në informacionin zyrtar, që u takon ta zhbirilojnë drejtoria e përgjithshme ekzekutive e Autoritet Portual Durrës me forcën e sigurisë që ka në dispozicion, Administrata Detare me kapitanerinë, Qendra e Vëzhgimit Detar të Plepave, Roja Bregdetare, drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, drejtoria e SHISH-it.

Gjithsesi, është tejet e pashpjegueshme që të mendohet se në këtë epokë të teknologjisë së përgjimit të mund të fshehësh gjurmë apo të shfajësohesh me gabime njerëzore.

Ngjall kureshtje fakti që anija  Loyga ka 42 ditë në port në dispozicion dhe nëse vërtet ka ardhur të ngarkojë çimento, kush do të paguajë kundërstalinë (anglisht:  demurrage, italisht:  controstallia – tarifë gjobitjeje për kohëvonesës / tejkalimin e qëndrimit të anijes për ngarkim / shkarkim), që arrijnë në mbi 150 mijë euro!

Vetëm ndonjë trafik i paligjshëm mund të përballojë dhe të tejkalojë me disa fish kostot e kohëvonesës së anijes.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/