Durrës, 21 gusht 2014 – 356 telefonë celularë janë sekuestruar gjatë ditës së sotme në Durrës nga Sektori Kundër Krimit Ekonomik.
Ndërkohë ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 47 vjeçarin A.T., nga Tirana, të cilit iu sekuestruan telefonat kontrabandë.
Sipas burimeve të policisë së Durrësit, 47 vjeçari është ndaluar në flagrancë ndërsa po lëvizte me automjetin e tij në lagjen nr.11 Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjetën dhe u sekuestruan një sasi e konsiderueshme telefonash celularë të markave të ndryshme si dhe aksesorët përkatës, për të cilat ky shtetas nuk posedonte asnjë lloj dokumentacioni.
Mësohet se telefonat celularë ishin bërë gati për t’u shitur në Durrës.
Në cilësinë e provës materiale policia e Durrësit ka sekuestruar:
-Automjetin e markës Benz, me targa AA859BR
– 300.000 (lekë të rinj)
-356 telefona celularë së bashku me aksesorët e tyre.
Lidhur me rastin në fjalë, materialet proceduriale iu kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





