Vatikan, 21 gusht 2014 – Skuadra e San Lorenzos fituese e freskët e Copa Libertadores i bëri një vizitë tifozit të saj special, që me lutjet e tij e ndihmoi jo pak ekipin nga Almagro për të arritur tek suksesi. Futbollistët, stafi teknik si dhe disa nga drejtuesit e San Lorenzos ishin të pranishëm në selinë e Papa Franceskut në Vatikan duke i bërë një dhuratë shumë të bukur atit të shenjtë që është një tifoz i zjarrtë i skuadrës argjentinase. Atit të Shenjtë përveçse iu dha mundësia të merrte në duar trofeun Copa Libertadores iu dhurua edhe një fanellë e klubit nga drejtuesit e skuadrës argjentinase. Më pas kreu i kishës katolike të Vatikanit përshëndeti një nga një futbollistët e ekipit blaugrana, ndërkohë që mori fjalën duke u shprehur:

“Përgëzoj kampionët e Amerikës së Jugut të San Lorenzos, që janë këtu sot bashkë me ne. Ky klub është pjesë e identitetit tim kulturor”.

Në fund Papa Francesku bëri edhe një foto me të gjithë pjesëtarët e San Lorenzos që ishin të pranishëm në kishin katolike të Vatikanit. Vizita e klubit nga Almagro mund të ketë lehtësuar disi dhimbjet e atit të shenjtë që vetëm pak ditë më parë përjetoi një fatkeqësi familjare. Për shkak të një aksidenti rrugor në Argjentinë, u ndanë nga jeta gruaja dhe dy fëmijët e vegjël të një prej nipërve të Papa Franceskut.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/