Itali, 21 gusht 2014 – Financierët italianë arrestuan dy italianë, një rumun dhe dy shqiptarë, që po përgatisnin një atentat me lëndë plasëse. Shqiptari R.M., 27 vjeç, së bashku me një rumun u arrestuan, ndërsa po transportonin një bombë artizanale nga Bari për në qytetin e Fondit në provincën e Latinës.
Bomba përbëhej nga një kilogram tritol prodhimit shqiptar dhe fitili zjarrpërcjellës. Tritoli ishte futur në një kuti metalike, që në rast shpërthimi do shkaktonte shumë viktima, edhe për shkak të ciflave metalike.
Atentati ishte planifikuar të kryhej kundër zyrave të një firme të njohur import-eksporti fruta-perimesh afër qytetit të Fondit. Zyrat e firmës ishin ngjitur me një karburant, ku ishte edhe një bar-restorant dhe një lavazh. Shpërthimi me siguri do të shkaktonte shumë viktima, madje edhe mund të hidhte në erë pikën e karburantit duke shkaktuar një masakër të përmasave të mëdha.
Nga hetimet e financierëve italianë rezultoi se të përfshirë në këtë akt të pastër terrorist ishin edhe një italian dhe shqiptari A.B., të cilët u arrestuan në qytetin e Molfetas, të rajonit të Puljes.
Të pesë personat akuzohen për mbajtje lëndësh plasëse pa leje, për tentativë kryerje masakre, për tentativë zjarrvënie të qëllimshme si edhe krijim organizate të strukturuar kriminale. Hetimet vazhdojnë për të zbuluar si mbërriti tritoli nga Shqipëria në Itali.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





