DURRËS, 21 gusht 2014 – Ankohet që nuk fitoi dot një prokurim publik me vlerë maksimale 7 mijë euro (kishte ofruar 4 500 euro), kështu vendimi i qeverisë i 11 qershorit 2014 nxori jashtë loje një firmë tiranase në tenderin e shërbimit të dezinfektimit të portit të Durrësit, të zhvilluar një muaj e gjysmë më vonë, më 29 korrik 2014, pasi nuk kishte paraqitur vërtetim se kishte shlyer faturat e korrentit,
Më 15 korrik 2014 u publikua nga drejtoria e përgjithshme ekzekutive e Autoritetit Portual Durrës (APD) procedura e prokurimit për shërbimin e deratizimit, dezinfektimit dhe dizinsektimit të APD-së, me fond limit 992 709 lekë (7 mijë euro).
Më 29 korrik 2014 u zhvillua tenderi.
Mё 3 gusht 2014 pjesëmarrësit në tender janë njoftuar në rrugë elektronike për klasifikimin përfundimtar të ofertave dhe ofertuesit e shkualifikuar.
Në këtë procedurë komisioni i vlerësimit të ofertave (KVO) dha këtë “verdikt”:
1. “Pastrime Silvio” [nga Tirana] 628 941 lekë, shkualifikuar.
2. “Dervish Myftaraj” [nga Bilishti] 766 851 lekë, shkualifikuar.
3. “A.E.K &Co” + “Adela-H” [nga fshati Markat i Delvinës] 777 777 lekë, shkualifikuar
4. “Alex-99” [nga Tirana] 992 045 lekë, kualifikuar
Firma nga Tirana “Pastrime Silvio” u njoftua për shkualifikimin me argumentin se: “nuk ka paraqitur një vërtetim lëshuar nga furnizuesi përkatës i energjisë elektrike, që tregon se ka shlyer detyrimet e maturuara të energjisë elektrike”.
Më 4 gusht 2014 “Pastrime Silvio” shpk, ka paraqitur ankesë pranë APD-së, duke kundërshtuar shkualifikimin e tij.
Mё 5 gusht 2014, APD-ja hedh poshtë ankesën.
Pastaj “Pastrime Silvio” shpk ka paraqitur ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik, duke parashtruar të njëjtat pretendime si edhe në autoritetin kontraktues.
Më 15 gusht 2014 Komisioni i Prokurimit Publik shqyrtoi ankesën për shfuqizimin e vendimit tё APD-së.
Komisioni i Prokurimit Publik e hodhi poshtë ankesën pas shqyrtimit duke arsyetuar se në shtojcën 6, “Kriteret e veçanta të kualifikimit”, pika 1, germa “d”, APD-ja ka kërkuar “një vërtetim që tregon se operatori ka shlyer detyrimet e maturuara të energjisë elektrike, kjo në përputhje me VKM-në nr. 379, dt. 11.06.2014, lëshuar nga furnizuesi përkatës i energjisë.”
Nga shqyrtimi i ofertës së operatorit ekonomik “Pastrime Silvio” rezultoi se nuk është paraqitur asnjë dokument që të vërtetojë se operatori ka shlyer detyrimet e energjisë elektrike, bën të ditur zyrtarisht Komisioni i Prokurimit Publik.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





