Tiranë, 27 korrik 2014 – Gazetari i A1 Report, Arbër Hitaj, bëri një denoncim publik për Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Në faqen e tij në Facebook, Hitaj shkruan se Ministri Tahiri e ka kërcënuar përmes sms –sh, sepse nuk i ka pëlqyer një postim i mëparshëm i gazetarit, ku kritikonte punën e Ministrit dhe mbështeste hapur deputetët e Partisë Socialiste dhe LSI –së që e kanë kritikuar Tahirin ashpër e madje kanë kërkuar edhe dorëheqjen, sipas tij. Gazetari shkruan se, Ministri i ka dërguar mesazhe telefonike për 40 minuta dhe se këtë qëndrim të tijin e ka quajtur si mbështetje të krimit. Ai nuk e bën publik përmbajtjen e mesazheve, por thotë se Ministri Tahiri i ka thënë që të bëjë kujdes që bindjet e tij të mos i publikojë në televizionin ku punon.
“Statusi im ku kritikoja Ministrin e Brendshem per menyren si drejton ate dikaster, paska shkaktuar shume pakenaqesi te vete Ministri. I cili harxhoi 40 minuta kohe (nga beteja epike me krimin) duke me shkruar sms, ku me akuzonte si gjobvenes dhe se po mbeshtesja krimin!! Akuza qe nuk qendrojne se po te isha i tille sdo merrja guximin te dilja vete bllof. Madje shkoi deri sa me tha, kujdes do te monitoroj mos perdoresh TV ku punon!!” – shkruan gazetari Hitaj.
Gazetari e sqaron Ministrin Tahiri se nuk u trembet kërcënimeve të tij dhe se ky status në Facebook është provë e kësaj.
“Nderkohe une po i nxjerr ne fcb!! E para s’kam per t’u trembur asnjehere per sa kohe respektoje ligjet e ketij vendi, madje me shume se ata qe i votojne. Une se kisha dhe se kam personalisht me te, por kritikoj vetem punen, si qytetar meqe po perdor fcb personal. Dhe per ta treguar kete spo ja publikoj mesazhet (vetem nese do insistoj). Keta njerez duhet ta respektojne mendimin ndryshe, jemi ne demokraci. Ne rastin me te keq, te heshtin dhe te flasin me pune. Se me fjale si bind dot njerezit.”
Teksa i mëshon bindjes së tij se projekti i Saimir Tahirit në drejtimin e Ministrisë së Brendshme ka dështuar, gazetari Hitaj paralajmëron se nëse kërcënimet do të vazhdojnë nga Ministri apo stafi i tij, ai do të bëjë publike mesazhet që i ka dërguar Tahiri.
“Me bindje them se projekti i tij ka deshtuar, per mua eshte e qarte. P.S. nese dikush nga stafi i tij kalon etiken, ju paralajmeroj kini kujdes se do ju them te vertetat te gjitheve…”
Në statusin e mëparshëm, ku kritikonte punën e Ministrit Tahiri, gazetari Hitaj shkruante se deputetët e kërkojnë me të drejtë largimin e Tahirit, pasi ai e ka kthyer ministrinë në bunker, që bën vetëm marketing.
“Kundershtimet ndaj ministrit te Brendshem ju siguroj jame shume me te medha. Pervec deputetit me peshe Tom Doshi jane dhe 5 depute te tjere mos me shume, qe kerkojne largimi e tij. Ministria eshte kthyer ne nje bunker, qe vetem ben marketing. Nderkohe ne terren po masakrohen qytetaret e thjeshte per nje gjobe, dhe kokat e krimit shijojne luksin e zakonshem. Besoj eshte e qarte do jete digasteri qe do e beje sefte ndryshimin e pare ne kabinet.”
Nga Ministria e Brendshme nuk ka patur ende asnjë reagim mbi këtë ngjarje.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





