Durrës, 26 korrik 2014 – Teuta i ka dhënë fund fazës përgatitore në Austri, por do të vazhdojë me të njëjtin intensitet punën në ambientet e saj sportive. Durrsakët qëndruan për më shumë se 20 ditë në Austri, ku zhvilluan edhe disa takime miqësore. “Djemtë e detit” nuk mundën të fitonin asnjë prej miqësoreve, ndërsa arritën të shënonin vetëm një gol me anë të të riut Ulluri, i cili gjeti rrugën e rrjetës në përballjen me Makabin Haifa.
Trajneri Hasan Lika u përpoq të provonte dhe testonte të gjithë grupin që ka në dispozicion, ku thuajse në të gjitha përballjet çaloi reparti i avancuar, çka do të thotë se Teuta duhet të riparojë repartin ofensiv. “Shterpësia” ka shqetësuar drejtuesit e klubit dhe stafin teknik, pasi durrsakët sulmin e kanë pasur pikën më të fortë të tyre në edicionet e kaluara.
Rikthimi i Pepës u mirëprit nga të gjithë, por largimi i Daniel Xhafajt duket se ka lënë një boshllëk shumë të madh në sulmin durrsak dhe do të jetë e vështirë që të mos ndihet mungesa e vlonjatit gjatë këtij sezoni. Gjithsesi, skuadra nuk është konsoliduar ende, madje stafi teknik me në krye Hasan Likën do të kenë në dispozicion kohë të mjaftueshme për të ndërtuar një skuadër prestigjioze.
Pika më e fortë në kampin durrsak për momentin është porta. Te Teuta aktivizohen dy nga portierët më të njohur të kampionatit shqiptar: Bledian Rizvani dhe Alfred Osmani. Ndërkohë që pjesa tjetër e skuadrës ngelet për t’u testuar në të ardhmen, pasi në grupin aktual mbizotëron fryma e re. Këtë sezon shpresat do të varen te lojtarët e dalë nga ekipet zinxhirë të Teutës, plus disa afrime të merkatos verore.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





