Brazil, 26 korrik 2014 – Aktiviteti i trurit të yllit të futbollit brazilian, Neimar, në momentet kur vallëzon mes kundërshtarëve me driblimet e tij, është më pak se 10% i aktivitetit të trurit të një futbollisti amator. Ky është përfundimi i neurologëve japonezë, të cilët sugjerojnë se praktikisht ai luan me “autopilot”.
Skanimet e trurit që i janë bërë Neimar në shkurtin e këtij viti, kanë treguar funksion minimal cerebral ndërsa ai rrotullon kyçin e këmbës, duke bërë që gjithçka të cilësohet krejtësisht jonatyrore nga shkencëtarët.
“Nga imazhet në skaner, na del kjo e dhënë e çuditshme. Ndoshta faktor është gjenetika, e ndihmuar nga lloji i stërvitjes që kryen”, shpjegoi për “AFP” Eiçi Naito, një nga kërkuesit që po merret me këtë studim, të publikuar në revistën zvicerane “Frontiers in Human Neuroscience” (Kufijtë në Neuroshkencën Njerëzore). Stafi i kërkuesve zhvilloi disa testime mbi lëvizjet motorike të 22-vjeçarit dhe disa prej futbollistëve të tjerë të Barcelonës në muajin shkurt, por pikërisht rezultatet e brazilianit ishin më mbresëlënëset. Naito ka testuar gjithashtu edhe tre lojtarë të kategorisë së dytë spanjolle dhe dy notarë të njohur, për të bërë krahasimet të cilat zyrtarisht janë kryer nga Instituti Kombëtar i Informacionit dhe Teknologjisë së Komunikimit në Japoni. “Aktiviteti më i ulët cerebral do të thotë më pak ngarkesë, që lejon lojtarin të kryejë sa më shumë lëvizje komplekse njëkohësisht. Ne besojmë se kjo është ajo që i jep Neimar aftësinë të ekzekutojë numrat e tij të ndryshëm”, shpjegoi Naito, sipas të cilit, teorikisht, edhe Kristiano Ronaldo e Lionel Mesi duhej të shfaqnin aktivitet të ngjashëm cerebral.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





