DURRËS, 26 korrik 2014 – Plas “gallata” teksa kryedemokrati i Manzës z. Bedri Luku është dakord të hyjë nën “hyqmin” e Durrësit, duke kundërshtuar bashkimin me Shijakun dhe “nazet” që bëjnë socialistët e Ishmit.
Në një postim në faqen e tij në rrjetin social Facebook, kryetari i seksionit të Partisë Demokratike të bashkisë së Manzës z. Bedri Luku befason me deklarimin: “Në gjykimin tim, jo vetëm si banor, por edhe si njeri i zgjedhur në organet vendimore të pushtetit lokal në Bashki dhe Qark, ky bashkim [me bashkinë e Durrësit – “Dyrrah”-u] është më i favorshëm se ai me Shijakun për shumë arsye”.
Duhet vënë në dukje se kryetar i bashkisë së Manzës është z. Bujar Huqi, përfaqësues i Partisë Demokratike.
Madje, z. Luku, bën të ditur se këshilli bashkiak, në mbledhjen e tij të fundit, votoi unanimisht pro projektvendimit për të qenë pjesë e bashkisë së Durrësit.
Z. Luku ka ka replikuar në distancë me një shkrim të botuar në një të përditshme afër PD-së, që pretendonte se bashkimi i Manzës me Durrësin “ishte diskriminim për banorët e Manzës!”.
Duket paksa i habitshëm ky “rebelim” i të vegjëlve të Manzës ndaj SHQUP-it, që kundërshton reformën territoriale.
Aktualisht PD-ja e Manzës është nën varësinë e degës së Durrësit dhe, me sa duket, me formimin e tij të gjerë si jurist dhe përvojën administrative, z. Luku sheh më larg, pasi në një ditë opozita e sotme mund të fitojë bashkinë e Durrësit, por ajo që ka rëndësi, duke qenë pjesë e një qyteti bregdetar, Manza përfiton më tepër me Durrësin se po të jetë nën Shijakun “për shumë arsye” apo në përbërje me Ishmin, Bubqin, Maminasin.
Nuk dihet se si do të reagojë selia qendrore apo dega e PD-së në Durrës për këtë “kryengritje” të Manzës.
Nga ana tjetër, sikurse kemi njoftuar, kryekomunari i Ishmit, socialisti Sulejman Ibrahimi, nuk e do bashkimin me Durrësin, duke dalë dhe ai kundër partisë së vet.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





