Zvicër, 23 korrik 2014 – Xherdan Shaqiri e ndez edhe më shumë merkaton e trekuartistëve me një mesazh të qartë që e dërgon në adresë të Juventusit. Bardhezinjtë po përpiqen të çajnë në garën mes Monacos e Liverpoolit për fantazistin me origjinë shqiptare, por nuk do ta kenë aspak të lehtë. Marotta i ka të përditshme kontaktet me përfaqësuesin e Shaqirit, duke e ditur mirë se ky operacion nuk është aspak i lehtë. Liverpooli shiti Luis Suarez, ndërsa Monaco, James Rodriguez, pra të dyja këto skuadra i kanë arkat plot për të shpenzuar pa u kursyer për përforcimet që duan.
Janë tre klube të mëdha që e ndjekin, megjithatë Shaqiri duket se e shikon veten më shumë te Zonja e Vjetër. Nuk është më një mister dëshira e tij për të ndryshuar ambient, pasi te Bayerni e ka të vështirë të gjejë hapësira mes dy emrash gjigantësh si Robben e Ribery. Nëse Guardiola nuk mund t’i garantojë vazhdimësi, Allegri e pret krahëhapur për t’i shtuar Juventusit të tij më shumë ingranazhe në ofensivë. Shaqiri ndërkohë ka konfirmuar përmes një mesazhi se nuk është aspak indiferent ndaj kampionëve të Italisë.
“Jam me pushime dhe nuk e di ende se çfarë do të ndodhë me të ardhmen time. Di vetëm që kam kontratë me Bayernin deri në 2016-ën. Nuk e di nëse ka kontakte me bardhezinjtë dhe po kështu nuk jam i informuar për Liverpoolin apo Monacon. Gjithsesi Juventusi do të ishte një opsion i mirë, ashtu si Monaco ose Liverpooli. Juve është një klub i madh. Kujt nuk do t’i pëlqente të shkonte atje? Bardhezinjtë nuk i shikoj si hap prapa për karrierën time”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





