Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka zbarkuar të mërkurën në Drejtorinë Vendore të Korçës.
Ai është takuar me strukturat e Drejtorisë Vendore, ndërsa mësohet se në fokus ka qenë siguria në shkolla në prag të nisjes së vitit të ri akademik dhe masat që duhet të marrë policia për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike.
Hita ka kërkuar nga strukturat angazhim për të shtuar kontrollet në perimetrin e sigurisë të institucioneve arsimore. Një tjetër pikë diskutimi, raportohet se ka qenë parandalimi i shpërndarjes së lëndëve narkotike në shkollë, duke rritur bashkëpunimin me drejtoritë arsimore dhe institucionet e tjera.
Hita dha porosi edhe për intensifikimin e luftës ndaj krimeve ndërkufitare, duke kërkuar hetime të plota dhe angazhim për goditjen e rasteve të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Sa i takon sigurisë rrugore, Hita kërkoi përdorim më të gjerë të teknologjisë, duke reduktuar kontrollet e mjeteve në akset rrugore.
Në përfundim të takimit, kreu i Policisë së Shtetit kërkoi nga strukturat intensifikim të luftës ndaj aktivitetit të grupeve kriminale.
Kujtojmë që një ditë më parë, Kryepolici ishte në Shkodër, ku shprehu pakënaqësi ndaj strukturave të Drejtorisë Vendore, ndërsa iu kërkoi më shumë punë në luftën ndaj krimit dhe kultivimit të lëndëve narkotike.
Lexoni edhe:





