Problemet teknike që goditën sistemin e kontrollit të trafikut ajror në Britaninë e Madhe kanë sjellë pasoja edhe për udhëtarët që fluturojnë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Të dhënat e publikuara nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës tregojnë se të paktën 7 fluturime në linjat me Londrën dhe Mançesterin janë prekur nga situata, me 3 anulime dhe 4 vonesa të konsiderueshme.

Mes fluturimeve të anuluara është ai i British Airways nga Heathrow drejt Tiranës, ndërsa është anuluar edhe linja e Ryanair nga Mançesteri. Një tjetër fluturim i Wizz Air nga Londra Luton ka mbërritur me më shumë se katër orë vonesë.

Vonesat dhe anulimet kanë prekur edhe nisjet nga Tirana drejt Britanisë. Dy fluturime të Wizz Air për Londër Luton janë shtyrë për pas mesnate, ndërsa një tjetër është zhvendosur me më shumë se një orë. Ndërkohë, linja e Ryanair drejt Mançesterit është anuluar.