Itali, 23 korrik 2014 – De Laurentis shfaqet ndryshe nga çdo herë, më i lirshëm në komunikim, më sportiv, por sërish karizmatik e thumbues në një diskutim të hapur përpara tifozëve. Si nisi rruga drejt Napolit, objektivi titull, merkatoja, por edhe Balotelli. Presidenti i Napolit foli për gjithçka sipas mënyrës së tij.
“Një ditë isha në Kapri ku pashë një zotëri me bark të madh dhe plot xhevahire, i cili thoshte se donte të blinte Napolin. Unë mbeta i befasuar sepse 5 vjet më parë isha kthyer me një çek prej 120 miliardë Liretash. Bëra gati gjithçka dhe gruaja e habitur më tha se nuk dija asgjë nga futbolli, por unë i thashë se familja më kishte mësuar pasionin e napoletanëve”.
Këtu turma e tifozëve shpërtheu në duartrokitje, ndërkohë që De Laurentis vijoi me temën e merkatos dhe me idenë Mascherano konkretisht.
“Me dyshen Bigon-Benitez komunikoj çdo ditë. Nuk është e lehtë të gjejmë lojtarët e duhur. Për Mascheranon duhen analizuar shumë aspekte. Duhet parë nëse është në shitje, nëse lojtari dëshiron të vijë, sa fiton dhe sa duhet paguar”.
Një kthim prapa në kohë me thumba që u lëshuan drejt ish teknikut të napoletanëve.
“Titullin dua ta fitoj me çdo kusht dhe do të luftoj për këtë. Mazzarri më thoshte gjithmonë; President moho gjithçka sepse ndryshe tifozët nuk do të jenë të kënaqur. Edhe mua nuk më pëlqen të gënjej, prandaj po them se këtë vit do të tentojmë të fitojmë titullin”.
Ndër lojtarët më të përfolur sigurisht që është Mario Balotelli, për të cilin De Laurentiis nuk ia mohon vetes një koment rreth sulmuesit të Milanit.
“Mario është një produkt i fryrë nga media dhe nga njerëz të tjerë. Mendoj se ai duhet ta nisë nga zero jetën e tij profesionale, duke u zhytur në dushin e përulësisë për të rigjetur vetveten”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





