Itali, 19 korrik 2014 – Në prill 2014, në qytezën Kampelo sul Klituno (Campello sul Clitunno), në provincën e Spoletos, katër shqiptarë grabitën me dhunë vilën e një pensionisteje 78 vjeçare. Banda, pasi e lidhi dhe i zuri gojën të moshuarës, me goditje vareje nxorri nga muri kasafortën. Ata ia mbathën bashkë me kasafortën, ku ishin arturinat e familjes dhe një pistoletë me leje.
Policia dhe karabinieria e Astit dhe Peruxhias, në sajë të filmimeve të telekamerave, raportit të një patrulle të karabinierisë për një BMW 3 me 4 shqiptarë në të si edhe dëshmisë së pronarit të një kafeneje në qytezën e Kampelo sul Klitnos arriti të identifikojë dhe të lokalizojë vendbanimin e dy nga katër grabitësit. Nga skedat telefonike u provua që të katër grabitësit gjendeshin në zonën e vilës në fjalë në kohën, kur ndodhi grabitja.
Për këtë grabitje policia arrestoi Samet (Sajmir) Ligatajn (ne foton poshte), 25 vjeç dhe Paulin Ndokën, 32 vjeç. Që të dy u dërguan në Burgun e Kuartos (Quarto). Vazhdon kërkimi për dy grabitësit e tjerë. Policia italiane ka kontaktuar edhe policinë shqiptare, nëse këta dy grabitës për t’i shpëtuar drejtësisë në Itali, kthehen në Shqipëri.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





