Tiranë, 18 korrik 2014 – Dalja nga skena e kompanisë ajrore Belle Air, që kishte pozita thuajse monopol në tregun e fluturimeve ajrore në Rinas, po shoqërohet me hyrjen në tregun shqiptar të kompanive të reja, të shoqëruara me destinacione të reja për në dhe nga aeroporti  “Nënë Tereza” i Rinasit.

Kompania ajrore belge “Jetaairfly” njofton se nga 31 korriku 2014 fillon fluturimet në destinacionin Rinas-Liezh (Belgjikë). Kjo kompani me qendër në Ostendë të Belgjikës është pjesë e grupit të kompanive ajrore “TUI Travel PLC”, ku bëjnë pjesë 7 kompani belge, suedeze, gjermane, angleze dhe franceze.

E reja e kësaj linje është çmimi i lirë i biletës për në Liezh të Belgjikës: 60 euro një udhëtim (100 euro vajtje-ardhje) dhe 15 kg bagazh në avion plus 6 kg bagazh dore.

Udhëtimet do të jenë një herë në javë, çdo të enjte. Avioni do te niset ne oren 12.15 nga Liezhi dhe parashikohet te mberrije ne Rinas ne oren 15.40. Kjo linjë do ketë çmime të njëjta me destinacionet italiane si Pisa, Bolonja, Cuneo etj. ndonëse distanca deri në Belgjikë është më shumë se dyfishi i distancës me destinacionet italiane. Si gjithmonë, liberalizimi i tregut dhe konkurenca sjellin ulje çmimi dhe rritje të përfitimeve për udhëtarët.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/