DURRËS, 18 korrik 2014 –  Au revoir, Plepa! – atasheu ushtarak francez për Italinë dhe Shqipërinë, me banim në Romë, koloneli Anri Suva (Henri Sowa) ka ardhur në Durrës, në komandën e Forcës Detare, në prag të përfundimit të misionit trevjeçar në të dy anët e Adriatikut.

Burime zyrtare nga selia e Forcës Detare në Plepa bëjnë të ditur se komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade i këmbësorisë Qemal Shkurti, ka pritur për herë të fundit atasheun e mbrojtjes së Republikës së Francës, kolonelin e aviacionit Anri Suva, ashtu sikurse veproi edhe Komandanti i Forcës Ajrore gjeneral brigade i aviacionit Frederik Beltoja.

Sipas burimeve zyrtare kolonel Suva vlerësoi bashkëpunimin me Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe në veçanti me Forcën Detare.

Më 15 shkurt 2014, sikurse ka njoftuar dhe “Dyrrah”-u (shih më hollësisht: http://www.durreslajm.com/politike-defekt-diplomatik-dragamina-franceze-anulon-viziten-ne-durrs#sthash.JxzD885s.dpuf), ndërsa pritej që më 15 shkurt 2014 dragamina (chasseur de mines) “Orion” e Marinës kombëtare franceze të bregëzohej në portin e Durrësit, mbrëmjen vonë të 14 shkurtit 2014, e njëjta agjenci detare shqiptare e Durrësit, e kontraktuar nga marina franceze, e cila njoftoi mbërritjen e “Orion”-it, bëri të ditur se kjo luftanije e ushtrisë së një vendi të NATO-s nuk do të hynte në portin e një vendi tjetër të NATO-s.

Administratori i agjencisë detare i tha në telefon “Dyrrah”-ut se një natë më parë, vet atasheu francez i mbrojtjes për Shqipërinë dhe Italinë, rezident në Romë, kolonel Anri Suva, i kishte komunikuar shtyrjen për një afat të pacaktuar të vizitës së paralajmëruar në portin e Durrësit.

Por “Orion”-i nuk erdhi më.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/