Francë, 18 korrik 2014 – Në pesë të mëngjesit, ditën e enjte, një familje shqiptare bëri një aksident të rëndë në autostradën A6 që lidh Parisin me Lionin. Një makinë luksoze BMW me targa shqiptare u përplas me një maune me targa rumune të kompanisë rumune të transportit rrugor “A.T. Trota S.A.”. Në makinën shqiptare ishin dy burra, një grua dhe një fëmijë. Vetura u përplas me mbrojtëset anësore të autostradës, ndërsa kamioni me kolonën e një ure.

Kamionisti rumun vdiq, ndërsa rumuni tjetër dhe një mashkull shqiptar u plagosën rëndë. Gruaja shqiptare dhe fëmija u plagosën lehtë, ndërsa shqiptari tjetër pati vetëm gërvishtje të parrezikshme. Aksidenti bllokoi dhe ngadalësoi trafikun në autostradë për disa orë. Xhandarmëria franceze nuk jep emrat e personave të përfshirë në aksident.

/gje. th. agjencia e lajmave “Dyrrah”/