Tiranë, 18 korrik 2014 – Pas vrasjes së bankierit Artan Santo policia nuk ngriti asnjë postbllok për kapjen e ekzekutorëve të tij dhe kjo pasi salla operative e policisë së Tiranës nuk kishte drejtuesin e saj. Sipas Abcnews, mëngjesin e 26 qershorit, drejtuesi i sallës operative mungonte pasi ishte emëruar në një detyrë tjetër. 

Më 26 qershor, ditë kur u ekzekutua bankieri Artan Santo, përgjegjësi i sallës operative, oficeri me inicialet N.M. prej më shumë se një muaj nuk ka qenë në detyrë, pasi ishte emëruar shef i komisariatit nr 4 të policisë.

Kur kanë kaluar 23 ditë nga atentati mafioz, i cili i mori jetën bankierit 58 vjeçar burime pranë policisë bënë me dije se vrasësit mund të ishin ndaluar nëse do të kishte koordinim mes patrullave, por edhe ngritjes së postblloqeve si dhe bllokimin e të gjitha rrugëve nacionale.

Asnjëra prej këtyre masave nuk është marrë ndërsa e gjithë ndjekja është bërë nga komunikimet nëpërmjet radios nga oficerët e policisë.

Të paktën 5 komisariate, por edhe patrulla Shqiponja nuk mundën të ndalonin vrasësit e bankierit Artan Santo, të cilët edhe pse ishin fiksuar nga kamerat e sigurisë lëvizën pa asnjë shqetësim në rrugët e Tiranës deri sa dolën jashtë saj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/