Tiranë, 18 korrik 2014 – Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut i kërkon kryeministrit Edi Rama që të mos privojë reformën Administrativo-Territoriale nga standardet evropiane. Në një deklaratë për mediat kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule deklaroi se nëse versioni i prezantuar ditën e djeshme do të jetë përfundimtari atëherë ai është i papranueshmën dhe i pavotueshëm. 

“Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është shprehur pa ekuivokë në favor të Reformës Territoriale. Kjo reformë më shumë se çdo nismë tjetër ligjvënëse kërkon vizion në konceptim, garantim në rezultat. Themelore është respektimi i të drejtave të komuniteteve minoritare. Nga të dhënat e deri tanishme reforma orientohet në devijime substanciale dhe shkelje flagrante të këtyre të drejtave. Kësaj reforme i referohen edhe elemente të spikatura klienteliste dhe elektorale. Dëshirojmë ti drejtohemi edhe publikisht në vençanti kryeministrit Rama që të mos e privojë këtë reformë madhore dhe strategjike nga standardet dhe fryma evropiane. Një zhvillim i tillë do e bënte këtë reformë për PBDNJ jo vetëm të pa botueshme por edhe të pa pranueshme”– deklaroi Dule.
 
Dule theksoi se Himara është rasti i spikatur ku me ndarjen e re tentohet të trazohen ekuilibrat historikë.

“PBDNJ është shqetësuar për mungesën e parimësisë në respektimin e të drejtave të pjesëtarëve të minoriteteve kombëtare. Këto të drejta duhet të respektohen siç e parashikon konventa për të drejtat e pjesëtarëve të komuniteteve minoritare. Himara është rasti më i spikatur ku tentohet me ndarjen e re të shkelen të drejta themelore të trazohen ekuilibra historik dhe të krijohen probleme aty ku nuk ka. Nëse ky do jetë produkti përfundimtar është i pavotueshme dhe i papranueshme.", tha Dule. 

Kreu i PBDNJ u shpreh se kjo parti po konsultohet edhe me faktorin ndërkombëtar dhe se për çështjen do te ndjeke hapat ligjorë duke e çuar në Gjykatën Kushtetuese.

Shqipëria nga dje ka një hartë të re territoriale dhe më të zgjeruar, me 61 bashki. Ky është varianti përfundimtar i miratuar nga Komisioni parlamentar i Reformës Administrativo-Territoriale. Komisioni i Reformës Territoriale ka përzgjedhur variantin me 61 njësi vendore, e cila do t’i dërgohet për miratim Këshillit të Ministrave dhe do të merret në shqyrtim në Kuvend më 23 korrik. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/