Tiranë, 18 korrik 2014 – “Arrest me burg” është masa që gjykata ka dhënë për 3 ushtarët profesionistë të akuzuar për mbajtje dhe shitje të bombave me celular. Masa ndaj tre ushtarëve u dha në mungesë të tyre.
Tre ditë më parë policia e Durrësit arrestoi 3 ushtare profesionistë, të repartit të Këmbësorisë 1010 Vau i Dejës, Shkodër, Kleo Gjinkola 22 vjec, banues në Shëngjin, ushtar profesionist me pagesë pranë repartit ushtarak të këmbësorisë 1010 Vau i Dejës, Shkodër; Alban Dedaj, 22 vjec, banues në Lezhë, ushtar profesionist në të njejtin repart dhe Fran Kola, 25 vjec banues në Lezhe, po i këtij reparti. Ata akuzohen si pjesë e një trafiku të gjerë ndërkombëtar të bombave me telekomandim. Në cilësinë e provës materiale janë kapur mekanizma celularë bombe që tre ushtarakët do i shisnin në treg.
Operacioni policor kishte nisur prej 3 muajsh pasi ishte marrë informacion se një grup shqiptarësh bashkëpunonin me persona në Malin e Zi dhe Greqi. Policia njofton se gjithcka është mundësuar falë operacionit të koduar “Profesionisti”, gjatë të cilit u mundësua vënia në pranga e 3 personave me profesion ushtarakë që po tentonin të shisnin kundrejt një grupi kriminal, 7 bomba me telekomandim që lidheshin me eksplozivë C4.
Tre personat konsiderohen si specialistë të krijimit të këtyre bombave. Këto bomba montoheshin në qytetin e Lezhës dhe i tregtonin në Greqi e Malin e Zi. Të dhënat e siguruara bëjnë me dije se pajisjet bliheshin në Malin e Zi dhe më pas shiteshin në Greqi e Shqipëri.
Secili prej këtyre tre shtetasve kishte rol kyc në këtë trafik, që nga sigurimi i lëndes plasëse C4 e deri tek montimi i tyre me aparatet telefonike celular, dhe më tej tregëtimin e tyre si brenda vendit, por edhe drejt shtetit Grek.
Bombat shiteshin kryesisht me vlerë 2 mijë euro secila dhe përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale, kryesisht shpërthim makinash. Të tre shtetasit e mësipërm kanë konsumuar veprën penale te “ trafikimit të lëndëve plasëse djegëse helmuese dhe radioaktive”, e cila është kryer në bashkëpunim dhe maksimumi i dënimit shkon deri në 20 vjet.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





