Tiranë, 18 korrik 2014 – Një agjenci private që merrej me emigrim në Kanada, Australi dhe Zelandë të Re dyshohet se nga shkurti deri në qershor të ketë mashtruar të paktën 500 persona në Tiranë. Burime të policisë së kryeqyteti bëjnë me dije se është shpallur në kërkim shtetasi Vasko Pop Ganov, me origjinë nga Maqedonia.
Rreth 60 persona kane kallëzuar se janë mashtruar me një shumë prej 600 euro secili nga agjencia e punësimit me emrin “HELP EMIGRATION”, me përfaqësues ligjor shtetasin Vasko Pop Ganov 47 vjeç lindur dhe banues në Maqedoni, për arsye se do t’i nxirrte vizë rezidente për në shtetin Kanadez, Australi dhe Zelande e Re. Dëmi i përafërt i shkaktuar është rreth 300 mijë euro. Zyra e hapur nga maqedonasi ndodhet përballë Drejtorisë së Policisë së Shtetit. Duket se këtë veprim ai e kishte kryer për të siguruar klientët për ligjshmërinë e veprimtarisë së tij.
Mësohet se maqedonasi u ka marrë nga 20 mijë euro dy familjeve nga Shkodra që ishin në gjak, duke i siguruar se do t’i mundësonte azil në një nga shtetet, ku ai pretendonte se kishte marrëveshje.
Ai e kishte regjistruar biznesin e tij edhe në QKR, ndërkohë që kishte hapur edhe një llogari bankare në një nga bankat e nivelit të dytë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





