Tiranë, 16 korrik 2014 – Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit ka referuar materialet në Prokurorinë e Përgjithshme, për veprën penale “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në ngarkim të shtetasit Gjin Gjoni, Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Kallëzimi mban datën 8 korrik, e si indicie për këtë referim ka shërbyer kallëzimi penal i ILDKP-së ndaj gjyqtarit, për veprat penale të deklarimit të rremë të pasurisë dhe falsifikimit të dokumenteve.

Nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit, referuar shumave relativisht të larta të investuara në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që disponon Gjoni, ku të krahasuara me të ardhurat nga paga apo bizneset e tij dhe të bashkëshortes së tij, dyshohet se ka një pasuri të pajustifikuar, të dyshimtë e cila ka burimin financiar nga aktivitete të paligjshme.

Në këtë referim janë patur parasysh:

–          Pasuritë që disponon shtetasi Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij

–          Të ardhurat që vijnë nga paga e punësimit në vite të këtij shtetasi

–          Të ardhurat që ka patur bashkëshortja e tij

–          Dokumentacioni lidhur me shoqëritë që disponon ky shtetas dhe bashkëshortja e tij

–          Si dhe është marrë informacion nga strukturat tatimore lidhur me detyrimet.

Materialet procedurale ndaj këtij shtetasi i janë referuar Prokurorisë së Përgjithshme për veprën penale parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/