Tiranë, 16 korrik 2014 –Këshilli i Ministrave vendosi sot për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Plepa – Kavajë –Rrogozhinë.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit kap shifrën 129 864 774 lekë dhe do të përballohet nga buxheti i vitit 2014, i miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës. 

VENDIMI I PLOTE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë.22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, si dhe në mbështetje të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Plepa – Kavajë –Rrogozhinë (loti 6, me rrugët dytësore). 

2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar. 

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë tokë arë dhe truall, me sipërfaqe të përgjithshme prej 48 028 (dyzet e tetë mijë e njëzet e tetë) m2, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 129 864 774 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e katër) lekësh. 

4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. 

5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 129 864 774 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e katër) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës. 

6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 5, të këtij vendimi.

7. Pronarët e listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZRPP-ja”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar. 

8. Pronarët e listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Rikonfirmim”, do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar. 

9. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimin e pronarëve, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 5, 6, 7 dhe 8, të këtij vendimi. 

10. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kavajë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’i vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit. 

11. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kavajë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara. 

12. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/