Tiranë, 16 korrik 2014 – Gjykatësi i Apelit, Gjin Gjoni ka reaguar sot publikisht për deklaratat e bëra nga kryeministri Rama në emër të tij, ndërsa shprehet se kreu i qeverisë me këto deklarata vërtetoi sulmin politik ndaj tij. Duke e cilësuar të drejtë vendimin e dhënë nga KLD-ja për të, Gjoni u shpreh se po intimidohet dhe shantazhohet nga kryeministri. 

Deklaratës së kryeministrit se si ka mundësi që edhe ndërkombëtarët e njohin emrin e tij, Gjoni iu përgjigj: “Më njohin nga Europa në NATO zyrtarët, s’më njohin si person por si anëtar i KLD që po cenohet, shantazhohet dhe që do të uzurpohet nga kryeministrit. Ndërkombëtarët janë të shqetësuar se i kanë vënë në dijeni për këtë sulm të paprecedent ndaj meje dhe institucioneve të drejtësisë. Shqetësohen se si një kryeministër i një vendi që ka marrë statusin e kandidatit merr dhe shantazhon në telefon gjyqtarët për çështje konkrete. Përmendin emrin tim se kam ardhur në këtë pozicion jo prej suportit politik, por sepse kam qënë më i votuari që nga krijimi i KLD-së. Ndërkombëtarët janë të shqetësuar se reforma në drejtësi po bëhet pa konsultë me Komisionin e Venecias, Këshillin e Europës e institucione të tjera ndërkombëtare”, tha ai. 

Ai shtoi ndër të tjera se këtë betejë do ta zgjidhë në rrugën e drejtësisë, pa ndërprerë takimet me faktorin ndërkombëtar 

DEKLARATA E RAMËS PËR GJIN GJONIN 
“Po e them copë, sepse jam ndjerë dhe ndjehem i tmerruar kur kam përballë zyrtarët më të lartë të vendeve të tjera që e përmendin si emër. Ç’arsye ka një zyrtar i lartë, të dijë emrin Gjin Gjoni, në anglisht?! E, ç’arsye ka një aleancë e tërë, që shtrihet nga Europa në NATO dhe nga NATO në Europë, që të dijë që është një Gjin Gjoni dhe që ta shtrojë këtë problem me të gjithë autoritetet që takon. Unë kam asnjë gjë me këtë person dhe nuk është personale, është fenomenale. Se të ishte personale, do të ishte 1/100 e së keqes. Është fenomenale. E, pastaj, në këtë vend ku ka shumë martirë që ende nuk janë vënë në vendin e tyre, Gjin Gjoni bën martirin, që po e luftojnë për arsye politike. Është fenomenale."- theksoi Rama.