Tiranë, 16 korrik 2014 – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i është përgjigjur përmes një reagimi të publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni akuzave të kryeministrit Edi Rama, i cili dy ditë më parë shprehu kritika për pozicionin dhe punën e kreut të shtetit në lidhje me sistemin e drejtësisë. Në një pjesë të deklaratës, Rama u shpreh se “nuk jemi të lumtur me këtë President, por nuk i sulmojmë”. 

Dy ditë më pas vjen kundërpërgjigja. Presidenti analizon në një reagim të tij të zgjeruar konceptin e lumturisë, por thekson se kjo ndjenjë nuk fitohet as nëse ke fituar pushtet të pakufizuar. Sipas Nishanit, nëse dëshira e Ramës për lumturi projektohet duke cënuar Kushtetutën e vendit, institucionet e pavarura si dhe duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj Presidentit të Republikës, atëherë kjo është një dëshirë totalitare dhe absolutiste.

Sipas presidentit, pavarësia ndaj institucioneve është baza mbi të cilën duhet të funksionojë sistemi i drejtësisë dhe çdo mendësi tjetër do të shkelte Kushtetutën e vendit. Shqipëria, siç shkruhet më tej në njoftim, është ndarë nga mendësi të tilla. 

Presidenti thekson se qeveria dhe kryeministri në vazhdim po sulmojnë këtë institucion duke përgatitur edhe mjaft projektligje dhe duke votuar ligje që sipas tij cënojnë kompetencat e kreut të shtetit. Në përfundim, zoti Nishani thekson se mesa duket, qeveria dëshiron një sistem drejtësie të reformuar, por të komanduar nga kryeministri.

Reagimi i plotë i presidentit

Nisur nga një adresim i pa vend dhe i pa argumentuar i Kryeministrit të vendit ndaj Institucionit të Presidentit të Republikës, në datën 14 korrik 2014, dëshiroj të përcjell tek qytetarët shqiptarë, mospajtimin tim me këtë standard të kulturës politike dhe komunikimit ndërinstitucional.

Aspirata për lumturi është një e drejtë legjitime e çdo qytetari të Republikës  tonë e po kaq është e tillë edhe për Kryeministrin e vendit dhe anëtarët e qeverisë së tij.

Por nëqoftëse këtë dëshirë të hershme e universale  të humanizmit  Kryeministri e sheh të  projektuar në horizont  duke cënuar Kushtetutën e vendit,  institucionet e pavarura si dhe duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj Presidentit të Republikës, atëherë kjo është një dëshirë totalitare dhe absolutiste.

Shqipëria është ndarë njëherë e përgjithmonë nga  mendësi të tilla.

Sistemi politik i themeluar mbi demokracinë dhe shtetin ligjor me Kushtetutën si garant e udhërrëfyes, shoqëria shqiptare e cila tashmë ka kaluar sprova të mëdha në kërkim të lirisë dhe konsolidimit të saj, procesi integrues dhe vetëdija evropiane e popullit tonë nuk e lejojnë një gjë të tillë.

Unë e kam pranuar dhe e ushtroj detyrën e Presidentit të Republikes si përgjegjësi sublime ndaj vendit dhe popullit tim duke patur referencë të patjetërsueshme ligjet e këtij vendi dhe qëllim  progresin e gjithanshëm të  tij dhe sigurisht jo trishtimin, melankolinë  apo  lumturinë e politikanëve të veçantë.

Punoj çdo ditë me këtë bindje, indiferent ndaj presioneve, por i keqardhur për burimin e tyre.

Siç jeni të informuar nga mediat çdo ditë, Kryeministri dhe qeveria e kryesuar  prej  tij përgatisin projektligje dhe votojnë ligje që cënojnë kompetencat e Presidentit të Republikës në kërkim të një pushteti të pakufizuar.

Institucionet dhe marrëdhënia e detyrueshme ndërmjet tyre në një sistem demokratik funksionojnë në bazë të ligjit dhe Kushtetutës e jo të etikave dhe emocioneve  personale.

Natyrisht edukata dhe komunikimi qytetar janë të vetëkuptueshme.

Kur Kushtetuta  dhe Ligji  preken  në shërbim  të pushtetit në raport me shtetin atëherë nuk ka vend  për t’u mburrur në emër të kortezisë që tingëllon hipokrizi.

Presidenti i Republikës  nuk kërkon  dhe as pranon  fasadën e etikës,  por kërkon dhe nxit  etikën e ligjit dhe respektin institucional.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/