Kosovë, 16 korrik 2014 –  Policia e Kosovës ka vënë në pranga vëllain e ministrit të Arsimit, Ramë Buja, pasi ka festuar në dasmë duke qëlluar me kallashnikov.Lutfi Buja ka qëlluar me armë gjatë dasmës së dy djemve të ministrit. Ramë Buja ka vendosur që t’i martojë djemtë në një ditë, në fshatin Bujan të Lipjanit. 

Por Lutfiu nuk e ka përmbajtur gëzimin për martesën e nipave. Policia e Kosovës ka ndërhyrë në mes të dasmës dhe e ka arrestuar. Atij i është sekuestruar arma, që e mbante pa leje dhe tani ndodhet në paraburgim. 

Ngjarja
Në dasmën e dy djemve të ministrit Ramë Buja, ka krisur kallashnikovi. Vëllai i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka manifestuar gëzimin e martesës së nipave me automatik AK 47. 

Policia e Kosovës ka ndërhyrë rreth orës 22 :00 në këtë festë duke arrestuar të dyshuarin, i cili me urdhër të prokurorit i është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh. Për vepër penale të gjuajtjes më armë, prokurorja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Besa Krajku ka kërkuar paraburgim një muaj për të. 

Lutfi Buja është njëri nga 6 vëllezërit Buja. “Koha Ditore” ka provuar të marrë një prononcim të martën nga ministri i Arsimit, Ramë Buja, por ai nuk e ka hapur telefonin. Prokurorja Besa Krajku ka konfirmuar për “Kohën Ditore” arrestimin.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/