Durrës, 15 korrik 2014 – Trajneri i Teutës, Hasan Lika deklaroi se nuk është i shqetësuar për humbjen e ndeshjes miqësore kundër rumunëve të Botsanit, të cilët i shënuan djemve të detit plot 6 gola.

Megjithatë për trajnerin Lika kjo humbje nuk është shqetësuese pasi skuadra nuk kishte shumë kohë që stërvitej dhe forma e tyre fizike nuk ishte e mirë. Gjithsesi ai theksoi se Teuta do të jetë gati për sezonin e ri. Sipas Likës ai ka në skuadër lojtarë të talentuar që dinë të bëjnë diferencën dhe që do të punojnë shumë për skuadrën.

Durrsakët u mposhtën 6-0 nga skuadra rumune e Botosanit. Takimi u luajt në qytezën e Mayrhofen, disa kilometra larg hotelit, ku është akomoduar aktualisht skuadra. “Djemtë e detit” e nisën mirë takimin, madje deri në minutën e 40-të pati disa raste për të shënuar. Pikërisht në fundin e pjesës së parë durrsakët surprizohen, teksa pësojnë 2 gola, në minutën e 40-të dhe 43. Në pjesën e dytë, ekipi i Likës pëson edhe 4 gola të tjerë, duke e pasur të vështirë që t’i bëjnë ballë lojës së kundërshtarit. Gjithsesi, kjo është vetëm miqësorja e parë e durrsakëve, të cilët janë në ndërtim e sipër. Në skuadër janë afruar shumë lojtarë të rinj dhe do të duhet kohë derisa grupi të konsolidohet dhe të fitojë ekuilibrat e duhur. Nga ana tjetër, Botosan është një nga skuadrat cilësore të kampionatit rumun, teksa në 4 miqësoret e fundit ka regjistruar po kaq fitore.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/