Argjentinë, 15 korrik 2014 – Humbja në finale nuk e zbehu aspak entuziasmin e argjentinasve për Botërorin e zhvilluar nga kombëtarja e tyre. “La Seleccion” mbërriti në në Buenos Aires ku u prit nga mijëra persona që pushtuan rrugët për të përshëndetur idhujt e tyre, pavarësisht humbjes në finale me Gjermaninë.
Tifozët të mbuluar me flamuj kombëtarë dhe të veshur me fanellën e përfaqësueses së tyre brohorisnin në kor emrin e Sabellas dhe të Lionel Messit, që u shpall dhe lojtari më i mirë i turneut, në të cilin realizoi në total katër gola.
“La Seleccion” u prit në zyrat e Federatas Argjentinase dhe nga presidentja e vendit, Cristina Kirchner, e cila i përqafoi të gjithë me radhë pjesëtarët dhe futbollistët e stafit të skuadrës, ndërsa në fjalën e saj ajo theksoi se vendi ndihet krenar për ta dhe përgjatë një muaji me lojën që skuadra dhuroi në fushë ndryshoi dhe mendimin e krijuar prej saj në Argjentinë, ku kishte shumë nga ata që nuk besonin te kjo kombëtare.
“Në emër të 40 milionë argjentinasve, jam krenare që iu pres. Keni qenë luanë të vërtetë, jam krenare për mënyrën se si mbrojtët ngjyrat e flamurit tonë”, deklaroi Kryetarja e Shtetit, me lojtarët që gjithsesi kishin në fytyrë të stampuar zhgënjimin për disfatën në finale, me Lionel Messin që foli para kombit të tij.
“Do të doja të kisha sjellë këtu Kupën dhe të festonim. U përpoqëm ta bënim, dhe dhamë gjithçka por nuk ishim të aftë ta realizonim. Por unë mendoj se pavarësisht kësaj, ne i sollëm shumë gëzim vendit. Arritja në finale, konkurimi ballë për ballë, ne nuk i lamë asgjë kundërshtarit. Ikëm në Brazil me shumë dyshime nga ana e njerëzve tanë, nga gazetarët dhe u bëmë më të fortë se kurrë. Ne u bëmë një skuadër spektakolare e bashkuar dhe kjo na çoi deri në ndeshjen finale. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe besojmë t’i sjellim më shumë gëzim këtij vendi”.
Gjatë ceremonisë foli gjithashtu dhe Lionel Messi, i cili shtoi se ekipi dha maksimumin për të fituar Kupën e Botës por nuk ja doli dot mbanë. Gjithsesi kapiteni i “La Seleccion” shprehu kënaqësi që nëpërmjet futbollit arritën të sjellin për një muaj, kaq shumë lumturi në vendin e tyre. Argjentina në total e ka fituar dy herë titullin Botëror në 1978 dhe 1986.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





