Brazil, 15 korrik 2014 – Këtë herë “Topi i Artë” i Botërorit bëri që të bien dakord të gjithë, madje dhe Sepp Blatter. Që nga tifozët e deri te Maradona, të gjithë kritikuan zgjedhjen e Fifa-s për t’i dhënë Messit çmimin si “Lojtari më i mirë i Botërorit”, dhe presidenti i Fifa-s, nuk e fshehu sikletin mbi këtë çështje.

“Të tregohem diplomatik apo të them të vërtetën? Edhe unë vete mbeta pak i befasuar kur pashë Messin të ngjitej për të marrë trofeun. Sigurisht pastaj, nëse bëhet krahasimi me fillimin e turneut, duhen parë dhe golat e Messit që ishin deçizivë”.

Justifikim pak i bindshëm, aq sa dhe Walter de Gregorio, Drejtori i Komunikimit në Fifa, pranoi se mund të ndryshohen kriteret e përzgjedhjes, ku këtë herë nuk u përfshi votimi i gazetarëve. Përtej çmimit, Blatter u shpreh i kënaqur me organizimin e turneut në Brazil.

“Ishte një Botëror shumë special. Çdo Botëror është ndryshe, por ky, brenda dhe jashtë fushe, ishte i jashtëzakonshëm. Edhe në planin e sigurisë shkoi gjithçka shumë mirë, e organizuar në çdo këndvështrim. Çfarë note do t’i jepja? 9.25. Edhe Papa më tha që ishte një Botëror i jashtëzakonshëm, edhe pse nuk ishte i lumtur për rezultatin e finales”.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/