Kosovë, 14 korrik 2014 – Blloku opozitar LDK-AAK-Nisma në njërën anë dhe Vetëvendosje në anën tjetër, sot kur po afrojnë momentet e fundit të mundësisë për të arritur një marrëveshje, dolën të pa pajtuar nga takimi.

Vetëvendosje tha se problemi i mospajtimit qëndron të parimet e tyre lidhur me dialogun dhe privatizimin, por në realitet duket të jetë krejt diçka tjetër ajo që po i largon ata që u bashkuan kundër Thaçit.

Burime brenda takimit të sotëm të liderëve të bllokut LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje, bëjnë të ditur se partia e Albin Kurtit, ka arritur të heq dorë nga kushtëzimet e tyre që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë dhe privatizimin.

Por çështja për të cilën duket se do ta kenë më vështirë të pajtohen, është ajo e ndarjes së posteve ministrore.

Futja në kombinimin qeverisës edhe të Vetëvendosjes, po e nxjerrë të pakënaqur partinë e Isa Mustafës, të cilës në marrëveshjen fillestare LDK-AAK-Nisma, i ishin garantuar 9 ministri, posti i kryeparlamentarit dhe ai i presidentit pas 2 viteve.

Hyrja në qeveri e Vetëvendosjes, thuajse e përgjysmon këtë numër të ministrive të garantuar për LDK-në, dhe kjo duket të jetë pika ku ata kanë ngecur dhe nuk po mund të arrijnë tutje, deri te pajtimi për një marrëveshje koalicioni.

LDK është e pakënaqur me ridizajnimin e ndarjes së resoreve ministrore dhe po llogaritë se po pranoi këtë marrëveshje ajo do të jetë humbësja më e madhe.

LDK si parti që ka trefishin e votave të AAK-së, nuk po mjaftohet me një numër të vogël të ministrive dhe pa postin e kryeministrit i cili i është lënë Ramush Haradinajt me vetëm 9 për qind të votave.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/