Tiranë, 14 korrik 2014 – “Gjithçka kemi arritur në këto 300 ditë është meritë në radhë të parë e të gjithë atyre që në 23 qershorin e një viti më parë investuan me votën e tyre te projekti ynë”. Kështu u shpreh kryeministri Rama në përmbyllje të prezantimit të punës së 300 ditëve të seclit prej ministrave të kabinetit të tij.
“Kemi arritur që asnjë mësues, asnjë nëpunës në administratë të mos ndihet në vështirësi për atë që mendon dhe kë takon në kohën e lirë. Kemi arritur që shoqëria civile të arrijë të marrë frymë dhe të kërkojë shtigjet për të dhënë opinionet e veta dhe, përmes një moment të paharrueshëm për të gjithë, t’i japim mesazhin që ajo dëgjohet dhe kur ka të drejtën me vete, ajo fiton. Mendoj se sot jemi në të drejtën tonë të themi se e kemi justifikuar vonën që na u dha si aleancë, votën e qytetarëve për të qënë të lirë në vendin e tyre, për të qënë të mospërjashtuar për shkak të origjinës, bindjes, fesë etj dhe kjo e bën Shqipërinë shumë më Europiane se ç’ishte para 300 ditëve. Ne kemi arritur të tranformojmë marrëdhëniet e Qeverisë me opozitën, një qeveri që flet për problemet e qytetarëve dhe nuk i bombardon me propagadndë kundër opozitës”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se meritë në transformimin e kësaj marrëdhënieje ka aleati i tij dhe kryetari i Kuvendit, i cili që në krye të herësh i dha opozitës kohën për të folur.
Rama tha se qeveria e tij ka zgjedhur të ndjekë një model të ri në marrëdhëniet me institucione si Presidenti i Republikës, KLD apo Prokurori i Përgjithshëm, pavarësisht rezervave për punën e tyre.
“Ne nuk jemi të lumtur me Presidentin e Republikës, por nuk kemi dhënë shqiptarëve një shembull të vjetër për të diskriminuar Presidentin e Republikës. Nuk jemi të lumtur me Kryeprokurorin, por ne shohim me shpresë për të gjetur atje parnerin e duhur kushtetues për t’i sjellë këtij vendi, drejtësinë që meriton. Ne nuk jemi të lumtur dhe këtë e kemi shprehur, për mënyrën si funksionon KLD-ja po nuk kemi rënë dhe nuk do biem në batakun ku KLD-ja na ka ftuar të biem me reagimet që s’i takojnë një institucioni të pavarur kushtetues.”,- tha Rama.
Kabineti “Rama” është mbledhur sot në Teatrin e Operas dhe Baletit, në një aktivitet prezantues të punës së 300 ditëve për secilën prej ministrive. Prezantimi nisi nga zv.Kryeministri Niko Peleshi, i cili ftoi katër ministrat e parë dhe shfaqi në ekranin e madh, rezultatet në disa sektorë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





