Divjakë, 14 korrik 2014 – Avioni i pilotit italian Giorgio Riformato, i cili u dëmtua gjatë uljes në plazhin e Divjakës në tentativë për të trafikuar marijuanë, tashmë është bërë objekt pelegrinazhi jo vetëm për turistët, por edhe për çiftet e sapomartuara. 

A1Report sjell një video, ku përreth avionit në Divjakë xhirohet dhe klipi i një çifti që martohej. 

Me këngë e valle përreth avionit, nusja dhe dhëndrri xhirohen jo vetëm nga kameramani i dasmës, por edhe nga persona kureshtarë aty përreth me celular. 

Avioni i Riformatos ka mbetur si relikë në plazhin e Divjakës, pasi as Ministria e Brendshme dhe as Ministria e Mbrojtjes nuk kanë gjetur ende një zgjidhje për largimin e tij nga vendi, ku ngeci si pasojë e uljes së pafat. 

Për ruajtjen e avionit është caktuar një patrullë prej 2 policësh të cilët kryejnë shërbim 24 orë. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/