Durrës, 14 korrik 2014 – Katër vendime për dhënie lejesh ndërtimi nga kryekomunari i Rrashbullit Hysen Gashi dhe 7 zyrtarë lokalë janë dhënë në kundërshtim të hapur me ligjin. Dy ditë pas arrestimit të kryetarit të komunës Hysen Gashi, së bashku me katër zyrtarë të tjerë, Prokuroria thekson se katër leje ndërtimi që ata kanë firmosur, janë dhënë në kundërshtim të plotë me ligjin.

Sipas Prokurorisë, lejet në fjalë janë konstatuar si të paligjshme dhe janë anuluar më pas nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit në Tiranë. Prokuroria e Durrësit shpreh bindjen se zyrtarët e komunës Rrashbull kanë qenë në dijeni se në zonën ku kanë dhënë lejet e ndërtimit (të paktën 15 të evidentuara në fazën e hetimeve paraprake), ishte e ndaluar të jepeshin leje ndërtimi, kanë thënë dje burimet nga organi i akuzës. Sipas tyre, është për t’u evidentuar fakti se Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit (KRRTSH) i ka shfuqizuar komunës Rrashbull disa vendime për leje ndërtimi në atë zonë, të dhëna në një periudhë të mëparshme, krahasuar me ato që janë nën hetim.

Lejet për të cilat Prokuroria e Durrësit akuzon zyrtarët e komunës, janë dhënë në periudhën mars-shtator 2011. Ndonëse koha e dhënies së lejeve ndryshon, zona është e njëjtë. Sipas akuzës, duke qenë në detyrë, kreu i komunës dhe vartësit e tij kanë dhënë leje në të njëjtën zonë ku ishte ndaluar që më parë dhe për këtë zonë, Këshilli i Përgjithshëm i Rregullimit të Territorit kishte anuluar të gjitha lejet e dhëna që më parë.

Hetimet e Prokurorisë

Prokuroria e Durrësit ka nisur fazën e dytë të hetimeve në drejtim të zyrtarëve të Komunës Rrashbull, të akuzuar për shpërdorim detyre. Faza e dytë e hetimeve konsiston në verifikimin e pasurive të tetë personave të përfshirë në këtë aferë korruptive, nga ku dyshohet se kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash. Burime nga prokuroria e Durrësit sqarojnë se "Task Forca e Prokurorisë së Durrësit dhe Antikrimi Financiar i policisë, aktualisht po kryejnë verifikimet e pasurive në drejtim të 5 shtetasve që ndodhen në paraburgim dhe 3 të tjerë që po ndiqen në gjendje të lirë.

Krahas verifikimit të pronave të patundshme në emër të zyrtarëve që janë tashmë në arrest apo hetim, prokuroria ka kërkuar informacion në bankat e nivelit të dytë edhe për numrat e llogarive që kanë vetë të akuzuarit apo familjarët e tyre.

Paraditen e së shtunës, policia njoftoi përfundimin e fazës së parë të operacionit të koduar "Rrashbulli", i cili u konkludua me arrestimin e kryekomunarit Gashi, të katër zyrtarëve të tjerë dhe hetimin në gejndje të lirë të tre anëtarëve të KRRT-së së komunës Rrashbull.

Sipas Policisë, arrestimi i tyre erdhi pasi prokuroria kishte zbuluar shkelje në dhënien e 16 lejeve të ndërtimit në zonën e bregdetit tek Shkëmbi i Kavajës, favorizim ky që dyshohet të jetë kryerë kundrejt përfitimeve materiale. Nga prokuroria mësohet se 16 lejet për të cilat tetë zyrtarët akuzohen janë miratuar vetëm pak kohë para vendimit të shtatorit të vitit 2011, i cili urdhëronte pezullimin e lejeve të ndërtimit me vendim të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë deri në përfundimin e studimit të planit rregullues.

/gazeta “Panorama”/