Angli, 13 korrik 2014 – Një nënë e re angleze, e divorcuar, rrezikon që të përfundojë në burg, nëse nuk do të kthejë mbrapsht 52 mijë sterlinat, që iu dërguan gabimisht në llogarinë e saj bankare.

Por 23 vjeçarja Michaela Hutchings pretendon se ky është një ndëshkim ndaj saj, nga ata persona që duan ta ndëshkojnë vetëm sepse “është e bukur”.

Gjithçka nisi me një gabim në komunën e Lichfield, që në vend t'i depozitonte paratë për një ent popullor, depozitoi në llogari të vajzës 51 mijë e 821 sterlina.

Hutchings as që e pyeti veten për origjinën e kësaj shume, për të cilën e deklaroi veten pronare pa menduar për t’i kthyer mbrapsht.

Menjëherë vajza shpenzoi nëntë mijë sterlina për veshje firme, këpucë dhe argjendari, para se ta kontaktonin dhe t’i komunikonin se ishte bërë një gabim.

Mirëpo Michaela 40 mijë sterlina i kishte transferuar. Pas kësaj ajo u denoncua në polici dhe duhet të kthejë paratë. Pjesa më e madhe e tyre u arrit të rekuperohej, por mungojnë ende 5700 sterlina, të cilat nëse nuk do t’i shlyejë brenda vitit, rrezikon 20 muaj burg.

Në gjykatë 23 vjeçarja deklaroi se kushdo që ia ka bërë një lojë të tillë, ia ka bërë pasi është shumë e bukur, dhe duan ta ndëshkojnë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/