DURRËS, 13 korrik 2014 –  Pas përçapjeve të drejtorisë në Ministritë e Shëndetësisë dhe asaj të Punëve të Jashtme, diplomatë rumunë në Tiranë kanë vizituar spitalin rajonal të Durrësit për të gjetur një zgjidhje për pacienten, bashkatdhetaren e tyre, znj. Silvana Patrioti (në foton kryesore), njoftojnë burime zyrtare nga institucioni publik.

Prej një viti ajo është braktisur nga të afërmit në spital. 60-vjeçarja qëndron e shtruar në shërbimin e neurologjisë, edhe pse nuk ka nevojë për trajtim mjekësor të këtij lloji, thotë spitali i qytetit bregdetar.

Drejtuesit e institucionit së bashku me përfaqësuesit e konsullatës rumune kanë nisur përpjekjet për riatdhesimin e të moshuarës.

Rasti i saj u bë publik, kur një tjetër e moshuar, znj. Remzie Niçaj, e braktisur në spitalin rajonal të Durrësit u strehua në shtëpinë e të moshuarve në Fier (foto poshtë).

Znj. Remzie Niçaj nga qyteti i Fierit, prej 9 muajsh, jetonte këtu, pas një aksidenti që kishte pësuar në këtë qytet.

Që prej tetorit të vitit të kaluar familjarët e braktisën atë në spital edhe pse nuk kishte më nevojë për trajtim mjekësor (shih edhe www.durreslajm.com/sociale/durres-pacientet-e-moshuara-braktisen-ne-spital-nga-familjare-video#sthash.ulviMwtH.dpuf).

Pas disa muajsh negociatash me shërbimin social, më 28 qershor 2014 stafi i spitalit të Durrësit arriti ta strehojë znj. Remzie në azilin e Fierit.

Tashmë është radha e znj. Silvanë, pacientes rumune, për të jetuar me dinjitet dhe jo për të qëndruar në spital kur nuk është më e sëmurë, thotë spitali i Durrësit.  

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/