Durrës, 13 korrik 2014 – Një shofer në gjendje të dehur ka përplasur me automjet dy policë rrugorë të Tiranës, të cilët patrullonin me motorçikleta pranë zonës së Gjirit të Lalzit.
Sipas policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 17:15 të së dielës në aksin Maminas-Gjiri i Lalzit. Në fshatin Shkafane, motoçikleta me targa MB 13A e drejtuar nga punonjësi i Policisë Armando Vako është goditur nga automjeti Seat Ibiza me targa AA805 JI, i drejtuar nga shtetasi Florian Farruku, 23 vjeç, banues ne Durrës, i cili paraprakisht dyshohet se ka hyrë në një parakalim të gabuar.
Nga përplasja, ka mbetur i dëmtuar polici Vako, i cili është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën. Automjeti në fjalë ka prekur lehtë edhe motoçikletën e dytë, drejtuar nga punonjësi i policisë Adil Lushaj, por fatmirësisht polici nuk është lënduar.
Mësohet se automjeti që është përfshirë në këtë aksident ka përfunduar jashtë rrugës dhe është përplasur me murin rrethues të një banese. Policia vuri në pranga drejtuesin e automjetit, 23 vjeçarin Florian Farruku, i cili sipas hetimeve të para rezulton se ka qenë nën efektin e alkoolit në kohën e përplasjes.
Dy punonjësit e policisë së Tiranës po patrullonin në segmentin rrugor Maminas-Gjiri i Lalëzit dhe kanë ardhur në Durrës për të përforcuar shërbimet policore në kuadër të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





