Lazarat, 13 korrik 2014 – Pa asnjë diskutim që Lazarati ishte fshati në të cilin punohej çdo pëllëmbë toke, shfrytëzohej çdo hapësirë e mundshme për të mbjellë kanabis sativa.

Aq sa edhe shpatet e Malit të Gjerë ishin gërmuar dhe përshtatur si parcela toke për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me lëndën narkotike. Të kishe tokë në Lazarat, ishte një aset shumë i madh, gati me të njëjtën vlerë që kanë pasuritë në zonën e bregdetit apo të ish- Bllokut në Tiranë. Jo më kot në një prej këngëve popullore të Jurgen Karçanit thuhet ndër të tjera: “Do marr nuse Lazarati se i kam sarajet gati…”

Por siç duket në foto, lazaratasit e kanë “kursyer” këtë sipërfaqe toke goxha të madhe, në të cilën mund të kultivoheshin me mijëra rrënjë kanabis sativa. Është fusha e futbollit të fshatit tashmë të njohur gjithandej si “kryeqyteti i marijuanës” në Evropë. Fotot janë shpërndarë në rrjetet sociale nga njerëz të ndryshëm që shkojnë në fshat thjesht nga kurioziteti. Megjithatë, veç portave prej hekuri “Lazarat Arena” nuk ka asgjë tjetër për të qenë një fushë futbolli brenda parametrave të kohës. Komuna e Lazaratit, edhe pse një nga më të pasurat në Shqipëri nuk ka investuar në këtë terren sportiv, por të paktën edhe nuk është lejuar që kjo tokë të mbillej me kanabis sikundër gjithë tokat e tjera të fshatit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/